Tragjedia detare në Korenë e Jugut

16/04/2014 00:00

Të paktën 300 persona rezultojnë të humbur pas përmbysjes së një trageti me 459 pasagjerë, larg brigjeve të Koresë së Jugut.

Trageti “Sewol”, në të cilin udhëtonin kryesisht nxënës të një shkolle të mesme, u nis nga porti i Inçeonit në veri-perëndim drejt ishullit jugor Xhexhu.

Të paktën 4 persona raportohet se kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur. Zyrtarët koreano-jugorë thanë më herët se 368 persona u shpëtuan, por orë më vonë ata rishikuan numrin e të mbijetuarve. Janë 174.

Pamjet tregojnë tragetin e përmbysur në një kënd. Brenda 2 orësh ai u mbulua nga uji. Korrespondenti i BBC-së në Seul, Martin Patience thotë se, “ekziston frika se kjo mund të jetë tragjedia më e madhe në det këto 20 vitet e fundit”.

Dhjetëra anije dhe helikoterë janë pjesë e operacionit të kërkimit. Pasagjerët që mundën të shpëtojnë u dërguan në një ishull të afërt. Një student i tha medias lokale se ai ishte bllokuar.

Nuk është ende i qartë shkaku i aksidentit, por dëshmitarët folën për një goditje përpara se trageti të përmbysej dhe të mbulohej me shpejtësi nga uji.

Kushtet e motit ishin shumë të mira. Agjencia e lajmeve “Yonhap” tha se trageti u mbyt në një thellësi prej 30 metrash. Trageti kishte dërguar sinjale alarmi rreth 20 km nga ishulli Biungpong në orën 09.00 me orën lokale.

Presidentja e Koresë së Jugut, Park Geun Hye shprehu hidhërim për aksidentin, duke thënë se, “është tragjike që në këtë ngjarje u përfshinë nxënës”. Zyrtarë të kompanisë, në pronësi të të cilës ishte trageti, kërkuan ndjesë për aksidentin.

MV SEWOL
459- Pasagjerë në bord
900- Kapaciteti Maksimal
146 metra- Gjatësia
I ndërtuar më 1994

Top Channel