15 vjet nga eksodi i madh

16/04/2014 00:00

15 vjet më parë nisi eksodi i madh i shqiptarëve të Kosovës të cilët në përpjekje për t’i shpëtuar makinerisë vrasëse serbe u hodhën në Shqipëri dhe Maqedoni.

Edhe pse në kushte të vështira, familjet shqiptare hapën dyert dhe strehuan mijëra prej tyre. Emisioni i Pasdites në Top Channel këtë të mërkurë risolli në kujtesë disa raste të strehimit. Njëri prej tyre nga Kukësi, që ishte ‘dhoma’ e parë e pritjes për të gjithë shqiptarët e Kosovës.

“Sa dëgjova që ka dyndje nga Kosova shkova atje për të ndihmuar sadopak këta vëllezër. Aty pashë njërin prej tyre dhe iu drejtova i thashë ku doni të shkoni? Më thanë që s’dimë se ku të drejtohemi. Po presim që të na marrin. Aty u thashë a pranoni të vini në familjen time? U thashë, në fshat, në Bicaj. Po keni dëshirë ejani, dhe ata pranuan. Atje në atë banesë kemi qëndruar 2 muaj e gjysmë”, rrëfen një banor i Kukësit që strehoi një familje kosovare gjatë atyre ditëve të vështira.

Kukësi jo vetëm mbajti peshën e të dëbuarve, por ishte edhe vija e frontit të luftës.

Mirela Oktava në ato ditë punonte si reportere në Maqedoni. Ajo ishte vendosur në vijën kufitare që ndante Kosovën me Maqedonin dhe rrëfen se cfarë ka parë. “Shqiptarët ishin të gatshëm të vinin jetën në rrezik në shërbim të asaj cështje të madhe. Për hir të së vërtetës, trajtimi në Maqedoni nuk ishte aq i mirë, diskriminoheshin. Shqiptarët iknin nga tmerri i luftës dhe shkonin tek tmerri i diskriminimit nëpër kampe. Duhet thënë se të shpërngulurit në Maqedoni ndaheshin në dy grupe, ata që u strehuan në kampe, dhe ata që u strehuan nëpër familjet shqiptare në Maqedoni. Këta të dytët e ndjenë më pak peshën e dëbimit nga banesat e tyre”.

Oktava shtoi se në Maqedoni operonin më shumë organizata ndërkombëtare dhe ndihmat për të zhvendosurit ishin më të mëdha, ndërsa Shqipëri ishte ndryshe. “Një krahasim, në Maqedoni njerëzit që ishin ndanë ato që kishin me ata që erdhën, por në Shqipëri njerëzit ndanë atë që kishin dhe atë që s’kishin! Ndanë gjithcka!”, tha ajo.

Mira Hasimja Përmeti nga Tirana shtoi drama e 1999 ishte drama më e madhe e shqiptarëve ku u përfshinë thuajse të gjithë. “Populli shqiptar ka përjetuar drama ndër vite, por kjo ishte me përmasa shumë të mëdha. U përfshinë gati 1 mln shqiptarë të Kosovës dhe 1 mln njerëz të tjerë në Shqipëri që i mirëpritën dhe vuajtën bashkë me ta, që ndanë kafshatën e bukës me ta”, tha ajo duke treguar edhe historinë se si strehoi disa familje kosovare.

Në lidhje direkte me Skype nga Ferizaj, Hajrush Idrizi, autor i një ditari që përshkruan në detaj rrugëtimin e tij drejt Shqipërisë. Ai thotë se ka hyrë në Shqipëri më 7 prill dhe më vonë është vendosur në Korçë tek një familje.

“Familja që na priti na riktheu dëshirën për të jetuar, dëshirën për të vazhduar jetën”, tha ai. 

Top Channel