Ndërsa trageti koreano-jugor po mbytej, disa prej pasagjerëve u dërguan mesazhe prekëse njerëzve të dashur, që me kalimin e orëve u shdërruan në kujtimin e tyre te fundit.

Nënë, kjo mund të jetë mundësia e fundit për të thënë të dua”. Kështu i shkruante të ëmës Shin Young-Jin.

Pse”, e pyeste ajo duke mos ditur se çfarë po ndodhte.

Përgjigjia e tij ishte: “Të dua, gjithësesi”.

Sipas gazetës “Korea Herald”, ai ishte mes 179 personave që u nxorrën nga uji. Nëna e Shin Young-Jin ishte me fat, por të tjerë prindër nuk mund të bashkoheshin sërish me fëmijët e tyre.

Një tjetër mesazh ishte ai i shkëmbyer mes një nxënësi dhe të atit, i raportuar nga agjencia e lajmeve AFP, ku i riu i tregonte prindit se si trageti u përmbys në njërën anë dhe më pas u mbulua nga uji.

Mbetet ende i paqartë shkaku i mbytjes së tragetit, me të cilin po udhëtonin nxënësit e shkollës së mesme. Përmes mesazheve u bënë më të qarta fotografitë e momentit të fundit: frikë, kaos.

Disa prej të mbijetuarve kritikuan proçedurat e evakuimit. “Na njoftuan që të qëndronim pa lëvizur, por trageti po mbytej dhe kishte plot studentë që nuk arritën të dilnin”, tha njëri prej tyre.

Por edhe brenda atij kaosi nuk munguan heronjtë. Një prej pjesëtareve të ekuipazhit, 22-vjeçarja Park Ju Young sakrifikoi jetën e saj ndërsa përpiqej të ndihmonte pasagjerët në katet e sipërme të tragetit, duke u bërë thirrje të mbanin veshur jelekët jetë-shpëtues, si dhe për t’i ndihmuar të dilnin.

Ekipet e shpëtimit po kërkojnë për gjetjen e 280 personave që rezultojnë të humbur pas mbytjes së anijes me 475 persona në bord. Sipas zyrtarëve koreano-jugorë, deri tani janë shpëtuar 179 prej tyre.

Presidentja e Koresë së Jugutt, Park Geun Hye vizitoi vendin e tragjedisë. Ajo tha se çdo minutë dhe çdo sekondë është vendimtare.

Top Channel