Pashkët, festa e ringjalljes së Krishtit

18/04/2014 00:00

Nuk ndodh rregullisht që Pashkët katolike dhe ato ortodokse të përkojnë në të njëjtën ditë, e kjo për faktin e thjeshtë se kishat mbështeten në kalendarë të ndryshëm.

Ajo ortodokse orientohet sipas kalendarit Julian; katolikët dhe protestantët ndjekin kalendarin Gregorian, një llogaritje e kohës e paraqitur nga Papa Gregor i XIII, në shekullin e 16, e që përdoret sot kudo në botë.

Pavarësisht dallimeve të tilla, origjina dhe rëndësia fetare e Pashkëve mbetet e njëjtë për të gjithë të krishterët.

Si Kisha e Lindjes, ashtu dhe ajo e Perëndimit e konsiderojnë këtë javën më të shenjtë të vitit, eventin që kujton momentin e kryqëzimit të Krishtit në të premten e zezë dhe ringjalljen e tij të dielën e Pashkëve, e cila këtë vit kremtohet më 20 Prill.

Zanafilla e krishtërimit nis nga Pashkët, sepse në qendër të tyre qëndron ringjallja e Jezusit dhe vetë thelbi i besimit të krishterë; simboli i jetës së përjetshme, sipas përfytyrimit kristian.

Krishti nuk ka vdekur vetëm si njeri, por si njeri Zot, ai e ka mundur vdekjen në vdekje, duke e kapërcyer atë, dhe ky është kuptimi kryesor i Pashkëve.

Historikisht, si pararendëse e këtij kremtimi konsiderohet festa hebreje “Pessah”, e kjo është arsyeja pse në kishat lindore haset shpesh me emrin “pasha”. Sipas traditës, hebrenjtë festojnë në këtë ditë faktin që Perëndia e udhëhoqi popullin e tij të dalë nga skllavëria në Egjipt, duke e çliruar nga vargonjtë e shfrytëzimit.

Para largimit nga Egjipti, Zoti kërkoi që dyert e çdo familjeje hebreje të lyheshin me gjakun e qengjave të therur. Kudo ku kjo nuk ndodhi, u vranë fëmijët e parë, një ndëshkim për familjet egjiptiane dhe arsyeja përse sot të gjitha vezët ortodokse të pashkëve janë të kuqe.

Top Channel