Kore, arrest për kapitenin e tragetit dhe ndihmësit

18/04/2014 00:00

Një mandat-arresti është lëshuar për kapitenin e tragetit që u përmbys e më pas u mbyt në brigjet e Koresë së Jugut, një aksident që numëron deri më tani 28 viktima dhe afro 270 të zhdukur.

Së bashku me të, edhe dy anëtarët e tjerë të ekuipazhit përballen me
arrestin, tha një zëdhënës i hetuesve prokurorë e policë, të premten.
Zëdhënësi nuk dha asnjë detaj të mëtejshëm.

Shkaku i aksidentit ende nuk është bërë i ditur, por një prokuror i Koresë së Jugut tha se kapiteni, Lee Joon Suk, nuk ndodhej në kabinën e drejtimin kur trageti Sewol nisi të fundosej, teksa një ndihmës i tij i tretë ishte në krye.

“Nuk është e qartë se ku ishte kapiteni kur ndodhi aksidenti, edhe pse është më se e qartë që ai nuk ishte në kabinën e drejtimit përpara se të ndodhte ai”, tha prokurori i shtetit, Jae-Eok Park. Kapiteni ishte njëri nga 179 personat e shpëtuar, menjëherë pas mbytjes së të mërkurës.

Për shkak të tragjedisë, një prej atyre të shpëtuarve, një zv/drejtor i një shkolle të mesme, i cili ndodhej në bordin e tragetit së bashku me mbi 300 studentë të tjerë, u gjet i varur në një pemë, tha policia.

Kang Min Kyu, 52 vjeç, zv/drejtor i shkollës së mesme “Ansan Danwon”, ishte mes të mbijetuarve të parë që u shpëtuan. Policia njoftoi se ai dukej të kishte varur veten me një rrip mesi në një pemë pranë një palestre në Jindo, ku të afërmit e shqetësuar të pasagjerëve të humbur janë strehuar.

Ndërkohë, polumbarët nxituan të kërkonin qindra studentë, të cilët ende besohen të jenë brenda tragetit.

Top Channel