Ukrainë, referendumi i Donjeckut

12/05/2014 00:00

Separatistët e rajonit lindor të Donjeckut pretendojnë fitoren në referendumin e së dielës me argumentin se 89% e banorëve të kësaj zone votuan në favor të shkëputjes nga Ukraina.

Shumë shpejt pritet të bëhen publike edhe rezultatet e votimit në Luhansk. Njoftimi i parakohshëm i liderëve rebelë në Donjeck u bë vetëm pak orë pas mbylljes së qendrave të votimit, ndërsa vetë referendumi u shoqërua me akuza për manipulime.

Roman Lyagin, kryetar i komisionit separatist zgjedhor, thotë: “Situata në rajon është nxehur kaq shumë sa vendosëm të mos humbasim kohë për shpalljen e rezultatit. Pjesëmarrja ka qenë mjaft e lartë, por jo një rekord në historinë e referendumeve ukrainase. Llogaritet tek 74,7%. 89% e votuesve u shprehën për vetëvendosje.”

Votimet filluan me ngut në Donetskun dhe Luhanskun, qytete kufitare me Rusinë. Por, shumë shpejt nisën të përhapen akuza për manipulime. Aktivistë pro-unitetit treguan video ku dukej qartë se disa persona votuan më shumë se një herë. Megjithatë, Lyagin pretendon se një gjë e tillë ishte e pamundur pasi njerëzit u detyruan të presin mbi një orë e gjysmë për të hedhur votën e tyre ndaj nuk kishte nevojë për garanci të tjera.

Qeveria e përkohshme e Kievit refuzon ta pranojë referendumin që e konsideron të paligjshëm dhe të sajuar. Në fletëvotim kishte një pyetje të vetme: “A duhet të formojnë rajonet republika të pavarura?” Pjesa më e madhe e banorëve kundër shkëputjes ishin shprehur që më parë se do ta bojkotonin procesin.

Votuesit që pritën në radhë të gjata pohuan se dhuna e ditëve të fundit, sidomos vdekja e të paktën 42 personave në Odesa, ishte arsye e mjaftueshme për shkëputje. Në popullatë ka zemërim të thellë për fushatën ushtarake të organizuar për të larguar separatistët e armatosur nga ndërtesat qeveritare që kanë zaptuar në rajon.

Top Channel