Avioni, rrëfimi i Bajramit

12/05/2014 00:00

“Unë në Itali kam punuar në fushën e ndërtimit, ku kam pasur një firmë ndërtimi, ku aktualisht e kam mbyllur aktivitetin e saj për shkak të krizës financiare që na ka zënë. Gjatë qëndrimit në Itali, për shkakë të krizës, në biseda që kam bërë me shtetasin Giusepe, mbiemrin e të cilit nuk e kujtoj, kemi biseduar të dy që të merreshim me trafikim të lëndës narkotike nga Shqipëria për në Itali, ku aty Giuzepe mori përsipër që të siguronte shitjen e saj. Ndërsa unë mora përsipër që të bëja sigurimin e lëndës narkotike, cannabis sativa, transportin e së cilës do ta bëja nëpërmjet një piloti, me të cilin do t’më ndërmjetësonte Giuzepe”.

Kjo është një pjesë e dëshmisë paraprake prej katër faqesh të dhënë para grupit të hetimit nga 39-vjeçari Saimir Bajrami, i cili është rrëfyer se si tentoi të trafikonte drogë në Itali nisur nga kriza ekonomike që i falimentoi biznesin. I akuzuari për trafik droge të mbetur në tentativë thotë se shtetasin italian me emrin Giusepe e ka takuar më datë 21 prill, pra rreth tre javë më parë dhe ka qenë pikërisht italiani ai që ka marrë përsipër gjetjen e një piloti, i cili sipas tij quhej Eli dhe ishte nga Milano.

Krutani, pa asnjë preçedent penal më parë si në Shqipëri dhe në Itali, tregon se gati dy javë pas bisedës dhe kushteve për trafikun, ku përfshihej çmimi prej 400 euro për kiligram që do t’i paguhej për transport pilotit, ai është takuar në Tiranë me personin e quajtur Eli, që në fakt rezultoi më pas se ka emrin Giorgio Riformato.

Nga ky takim, më datë 8 maj, të dy kanë nisur të flasin për vendin e takimit, duke u nisur nga sa kishin dëgjuar dhe parë në media. Më pas, të dy ata kanë vendosur që të shkonin të shikonin zonën ku do të ulej avioni për të marrë ngarkesën.

“Në datën 09.05.2014, rreth orës 11:00 kam shkuar përsëri tek hoteli ku ndodhej piloti dhe aty së bashku me të kemi biseduar se ku do të gjenim vendin e përshtatshëm për ngarkesë. Sipas televizorit, dëgjova se vend i përshtatshëm për këto punë ishte Divjaka. Prej tij mësova se nga GPS-ja kishte mësuar se në fushën e Gjadrit ai nuk mund të ulej sepse në pistë ishin vendosur betona dhe më tregoi se e vetmja mundësi ishte që të ulej në zonën e Divjakës. Gjithashtu, për në zonën e Gjadrit unë kisha parë se atje nuk mund të bëhej ngarkesa sepse ishin vendosur betona, si dhe për faktin që po ziheshin politikanët ndërmjet tyre në Parlament. Më kërkoi që të dy të shkonim dhe të shikonim vendin konkretisht. Jemi nisur të dy nga Tirana, me makinën fuoristradë që më është kapur, makinë të cilën unë ia mora kushëririt”, ka thënë Bajrami.

I akuzuari Bajrami rrëfehet se e bleu drogën me çmimin 300 euro kilogrami nga një person tjetër në Krujë, në sasinë e 207 kilogramë duke paguar në këtë mënyrë në dorë rreth 56 mijë euro. Kur mbërrita në Divjakë, thotë i pandehuri, i çova SMS nga karta italiane pilotit që jam tek vendi dhe ai më tha se për pak nisem.

“Kur kam mbërritur në Divjakë pashë se në të njëjtin pozicion që kishim lënë me pilotin, pranë meje ndodhej edhe një makinë tjetër e tipit “Volkswagen Passat” me ngjyrë gri, në të cilën ndodheshin dy persona. Menjëherë kuptova se edhe ata kishin bërë marrëveshje me pilotin sikurse edhe unë dhe ishin në pritje të arrdhjes së avionit”, ka treguar Bajrami.

Bajrami thotë se pa avionin duke ardhur dhe pasi ai preku tokën për rreth 40 metra, një nga rrotat takoi në një vend të ngritur dhe u thye. Pasi pa që avioni kishte përfunduar me hundë në rërë, ai thotë se ishte larguar sepse avioni nuk mund të ngarkohej dhe të ngrihej sërish në fluturim.

“Kur pash se ai doli nga kabina e avionit dhe u grit në këmbë, mësova se ai nuk kishte pësuar gjë fizikisht, gjë për të cilën unë u largova me shpëjtësi me makinën time sepse kisha frikë se mos aty vinin persona të tjerë. Dua të sqaroj se unë u largova me makinë sepse avioni nuk mund të ngarkohej sepse ishte prishur. Gjatë largimit tim pash se të njëjtën gjë bëri edhe makina tjetër “Volkswagen Passat” me dy personat e tjerë”, ka thënë i arrestuari.

Bajrami rrefehet se gjatë ikjes makina i pësoi defekt në fraksion dhe se pasi kishte udhëtuar në Divjakë, ku kishte gjetur një karroatrec, pikërisht në çastet kur po tentonin të rregullonin makinën, aty ka mbërritur policia.

Bajrami thotë se është larguar dhe ka ecur për rreth 3-4 kilometra në pyll, ku ka hedhur edhe dy telefonat, një me kartë sim italiane dhe një me kartë shqiptare. Teksa ecte në pyll ai thotë se ka hasur në një patrullë policie, ku dhe është kapur.

Top Channel