Ukrainë, separatistët drejt bashkimit me Rusinë

12/05/2014 00:00

Udhëheqësi separatist pro-rus, Denis Pushilin, i kërkoi Rusisë “të absorbojë” rajonin lindor të Donjeckut, pas referendumit jozyrtar që u zhvillua të dielën.

Lideri i vetëshpallur i “Republikës Popullore të Donjeckut” tha se “Moska duhet të dëgjojë vullnetin e popullit”. Separatistët pro-rusë thanë se në rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut u votua për vetëvendosje, respektivisht me 89% dhe 96%.

Më herët, kreu i Komisionit Zgjedhor në Donjeck, Roman Liagin, tha se “bashkimi me Rusinë ishte hapi tjetër i duhur”.

Përmes një deklarate të shkurtër, Kremlini e përshkroi referendumin si “vullnetin e popullit” dhe nënvizoi pjesëmarrjen e lartë. Ai foli edhe për përpjekjet për ta ndërprerë procesin, duke përdorur forcën, përfshirë armët e rënda, kundër civilëve.

Moska bëri thirrje për dialog mes kryengritësve dhe Kievit, me pjesëmarrjen e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE), si dhe implementimin e rezultateve, por Ukraina, Bashkimi Europian dhe SHBA-të e cilësuan votimin të paligjshëm.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se “nuk ka plane për të zhvilluar bisedime të tjera ndërkombëtare për krizën”. Ai akuzoi Perëndimin për “bllokimin e informacionit” mbi ngjarjet në Ukrainë dhe për “gënjeshtrat e turpshme”.

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier do të udhëtojë të martën drejt Kievit, për të nxitur dialogun mes palëve. Bashkimi Europian do të vendosë sanksione të tjera ndaj Rusisë. Dy kompani në Krime dhe 13 individë i janë shtuar listës së sanksioneve dhe emrat e tyre priten të bëhen publikë brenda 24-orëve.

Bashkimi Europian ka vendosur sanksione të tjera gjatë së hënës ndaj zv/shefit të parë të stafit të presidentit rus Putin, Vyacheslav Volodin, si dhe ndaj komandantit të trupave paraushtarakë rusë, ashtu sikurse dhe ndaj 2 kompanive krimeane “PJSC Chernomorneftegaz” dhe “Feodosia”.

Volodin dhe Vladimir Shamanov janë mes 13 personave të shtuar në listën e atyre që përballen me ngrirjen e aseteve nga ana e BE-së dhe ndalimit të fluturimit në zonën “Schengen”, si pjesë e përpjekjeve të BE-së për të ushtruar presion ndaj Moskës për krizën në Ukrainë, sipas gazetës zyrtare të bllokut europian.

Top Channel