Ukraina, NATO: Referendumet të pavlefshme

12/05/2014 00:00

Referendumet prej separatistëve në Ukrainë, si ai i së dielës në Donjeck “nuk janë të llogaritshëm”, bëri të ditur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, për gazetaren e CNN, Christiane Amanpour.

“Të tilla referendume janë ilegale, ata janë të çorganizuar, apo të organizuar në një mënyrë kaotike, me shumë pikëpyetje të dyshimta dhe të dykuptimta”, tha ai, gjatë së hënës.

Separatistët pro-rusë pretenduan fitoren në votimin e mbajtur në rajonin lindor të Ukrainës, duke thënë se 90% e votuesve kërkojnë pavarësinë nga Ukraina. Presidenti në detyrë ukrainas, Oleksander Turchynov, e quajti referendumin “farsë propagandistike”.

“E vetmja gjë me vlerë janë zgjedhjet presidenciale të 25 Majit”, i tha Rasmussen gazetares Amanpour. “Unë i nxis të gjithë aktorët të ofrojnë garanci se këto zgjedhje të përgjithshme do të zhvillohen në një mënyrë të rregullt”.

NATO është përpjekur, përmes dërgimit të kufizuar të trupave, ushtrimeve ushtarake dhe fluturimeve ajrore, të shfaqin një pengesë më të zgjeruar ndaj Rusisë, armiku i qëmotshëm i tyre i Luftës së Ftohtë.

Amanpour sfidoi Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës atlantiko-veriore nëse kjo ndihmë ka qenë e mjaftueshme.

“Aleatët thonë se do të donin të shihnin më shumë, në mos garanci, peshë të kundërpërgjigjes – tha Amanpour. – Nuk e di se ç’mendoni ju, por vetëm 150 ushtarë në Poloni? Dua të them, a është kjo e mjaftueshme për t’i thënë zotit Putin, i cili ka pasur mbi 40 mijë trupa në kufi me Ukrainën, të tërhiqej?”

“Jem ende në proces duke konsideruar hapat e mëtejshëm – tha Rasmussen. – Këto hapa mund të përfshijnë një rifreskim të planeve të mbrojtjes, zhvillimit të planeve të reja të mbrojtjes, shtimit të ushtrimeve të përbashkëta ushtarake, si dhe dërgimin e trupave të duhur. Gjithsesi, është ende herët për të thënë me saktësi se si do ta bëjmë këtë dhe ku do ta bëjmë këtë, por ne nuk do të hezitojmë për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm, nëse do të jetë e nevojshme”.

Top Channel