Që prej pasdites së të shtunës trafiku i drogës është kryefjala në politikën shqiptare. e në vazhdën e akuzave dhe kundërakuzave të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës u zhvillua edhe emisioni “Shqip” i kësaj të hëne.

Të ftuar në panelin e gazetares Rudina Xhunga ishin deputetët Ermonela Felaj dhe Taulant Balla nga mazhoranca dhe Flamur Noka dhe Arben Ristani nga opozita. Pjesës së parë iu bashkua në lidhje nga studiot e lajmeve të Top Channel edhe gazetari i Neës 24, Spartak Koka.

A po ndërhyn politika në hetimin e ngjarjes? Dhe a është një cvështje që do zgjidhet? A po shkon në një drejtim të duhur?

I pari që mori fjalën ishte deputeti socialist, Taulant Balla: “Nga ajo që është bërë publike sa për ato dy çantat ka dëshmuar vetë piloti sot. Ka thënë i kam zbritur unë sepse avioni rrezikonte të shpërthente dhe kisha sendet personale në çanta. E para konstatojmë me shumë përgjegjshmëri që Policia e Shtetit në këtë rast ka kryer detyrën në të gjitha gërmat e parashikuara në rolin që ka, ka ndjekur personin, një patrullë e ka ndaluar një person që po tentonte të largohej. E dyta, Partia Demokratike thotë që kjo strukturë shteti ka qenë e përfshirë. Nëse policia do ishte e përfshirë kjo bie direkte sepse policia ka ndërhyrë dhe ka vënë në pranga personat e përfolur. Ajo që duhet thënë janë deklaratat kundërshtuese të PD. Në fillim doli Berisha e tha që avioni ra nga mbipesha, por avioni në tentativën e parë për të ulur një avion në tokën e bregdetit të Divjakës theu rrotat dhe krahët e policia i arrestoi gjithë personat. Kishim një akuzë për përdorim të Forcave të Armatosura. Ku janë Forcat e Armatosura këtu? Madje i ndaluari Bajrami thotë që këtë histori trafiku e kish dëgjuar në televizion që në Divjakë ulen avionë për të marrë drogë dhe për shkak të krizës i ka hyrë kësaj valleje”, tha Balla.

Por për deputetin e PD, Flamur Noka rasti vërtetoi akuzat e opozitës dhe për të qeveria u kap me presh në duar, ndërsa aludoi se ka patur ndërhyrje tek provat si nga persona të dyshimtë ashtu edhe nga forcat e policisë. “Kishim disa muaj që kishim ngritur një shqetësim që përdoreshin aerodrome të vecantë. Kjo vërteton që gjithë shqetësimet që kemi patur ne kanë qëndruar. Nëse ai avion nuk do kishte thyer rrotën dhe nëse Mitsubishi nuk do i ishte prishur freksioni, do kishin ngarkuar dhe do kishin ikur. A ishte i ngarkuar avioni, a shkarkoi kjo është një cështje që duhet hetuar dhe ne nuk ndërhyjmë.  A ka të drejtë të preken provat në terren? Këtu ka përfshirje politike dhe është shkelur procedura”, deklaroi ai.

Deputetja socialiste, Ermonela Felaj deklaroi se ndërhyrje të politikës ka, ndërsa e cilësoi si negativ për organet hetuese presionin e opozitës. “Politika ka ndërhyrë në këtë rast, ka ndërhyrë opozita dhe presioni i saj është tejet negativ. Është negativ në radhë të parë për hetimin. E para deputetët e opozitës kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë informacion në kundërshtim me rregullat e hetimit. Është bërë modë që gjithkush nxjerr në shtyp deklarata dhe informacione të hetimit”, deklaroi Felaj.

Ndërsa gazetari Spartak Koka duke paraqitur imazhe nga vendi i ngjarjes pretendon se cantat janë lëvizur nga avioni nga persona të tjerë, jo nga policia.

Por deputeti Balla rrëzoi këto pretendime duke deklaruar se cantat janë nën sekuestron hetimore dhe ndodhen në zyrat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda si provë.

Në pjesën e dytë po nga studiot e lajmeve “Shqipit” iu bashkua gazetari i A1 Report, Gerti Xhaja. Ai deklaroi se nga dëshmitë e marra në vendin e ngjarjes ka rezultuar se dy personat që shfaqen në foto me çantat janë punonjës të policisë.

Gazetari i Top Channel, Sokol Bregu zbardhi edhe njëherë disa nga detajet e ngjarjes, mënyra se si është pasqyruar dhe koha e transmetimti të informacionit duke thënë se kishte mbërritur atje pas forcave të rendit. “Ne ishim të parët në vendin e ngjarjes në lidhje direkte për ta transmetuar në atë moment, dhe shkuam pas forcave të policisë, nuk pretendojmë që ishim atje para forcave të rendit”

Deputeti tjetër i Partisë Demokratike, Arben Ristani deklaroi se është detyrë e opozitës që të ndërhyjë në të tilla ngjarje në mënyrë që të mbajë në gjendje punë qeverinë dhe kjo e fundit të ketë nën kontroll strukturat e saj ligjzbatuese. Për Ristanin, nëse dikush nga mazhoranca do t’i përgjigjej pozitivisht pyetjes fillestare të ngritur nga opozita mbi trafikun e lëndëve narkotike, qeveria do të kishte dalë e fituar në rastin e Divjakës.

“Ju pyetët a po ndërhyn politika në një ngjarje që është në hetim? Sigurisht që po ndërhyn dhe është detyrë e saj që të ndërhyjë. Është pushteti që institucionet t’i ketë në krye të detyrës dhe detyrë e opozitës që ta mbajë qeverinë në gjendje pune dhe të mos e lërë të dalë nga shinat. Në rastin konkret opozita ngriti një pyetje dhe tha nëse ka dijeni Ministrja e Mbrojtjes për trafikun e drogës apo jo? Përfytyroni një situtatë sikur nga mazhornaca pas ngritjes së kësaj pyetje të dilte një përfaqësues dhe të thoshte po kemi dijeni. Nëse do dilte një përfaqësues i mazhorancës, i qeverisë të dilte dhe të thoshte këtë, qeveria do fitonte pikë me këtë që ndodhi në Divjakë dhe do kishte guximin të dilte të thoshte: po ka dhe ne po e kapim.  Të dhënat tregojnë për një trafik të cmendur të drogës dhe sigurisht që opozita është e shqetësuar për këtë. Deklaratat për mushkonja tregojnë papërgjegjshmërinë e qeverisë”, tha Ristani.

Por për Ballën Policia e Shtetit po provon me shifra luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike. Ai tha se sasitë e kapura në këtë periudhë kohore, krahasuar me periudhën kohore të një viti më parë kur në pushtet ishin demokratët janë disa herë më të mëdha.

“Policia e Shtetit po provon me shifra luftën kundër narkotikëve duke kapur më shumë lëndë se sa një vit më parë. Efektiviteti i punës së policisë shqiptare është që po shkatërrohen rrjetet e trafikut qoftë në Shqipëri, qoftë në vendet fqinj. 7.5 herë më shumë kokainë është kapur në 6 muaj të qeverisjes sonë krahasuar me 6 muaj të qeverisë së Partisë Demokratike, dhe trafiku aty ka qenë, nuk ka lindur tani”, tha Balla.

Deputetja Felaj deklaroi se synimi i opozitës është që të hedhë baltë mbi punën e Policisë së Shtetit dhe që njerëzit të mos i besojnë më kësaj policie.

Top Channel