Basha: Vendi një aerodrom droge

13/05/2014 00:00

Për Partinë Demokratike deklarata e Kryeministri Rama mbi ngjarjen e Divjakës është një mungesë përgjegjësie dhe fyerje ndaj shqiptarëve dhe për këtë ai duhet të largohet.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tre orë pas daljes së kryeministri Rama doli para gazetarëve ku kërkoi edhe njëherë tjetër largimin e qeverisë, e cila sic tha ai, po e shndërron vendin në një aerodrom narko-trafiku.

“Në vend të dorëheqjes, reflektimit apo ndjesës, shqiptarët brenda dhe jashtë vendit dëgjuan shkrimin e urrejtjes së tij patologjike kundër opozitës. Me paranojë shembullore e tregoi historinë e rrëzimit të avionit të drogës si një inskenim të forcave të errëta kundër tij. Piloti italian vendosi jetën në rrezik dhe do bëjë burg, po ashtu trafikanti do bëjë burg vetëm e vetëm për të rrëzuar Ramën?!”, deklaroi Basha.

“Zoti Rama nuk fyen vetëm opozitën, por fyen të gjithë shqiptarët duke u thënë që fluturon gomari. Ka mbaruar fushata elektorale dhe do apo s’do ky zotëri Partia Demokratike ka bërë dhe do të bëjë gjithcka që Shqipëria të marrë statusin. Nuk jemi ne që kemi mbajtur 3 vjet peng statusin duke mos votuar ligjet. Ne do të votojmë cdo ligj që ka lidhje me integrimin, por Kryeministri na kërkon të mbyllim gojën në një kohë kur vendi po shndërrohet në një aerodrom droge”, shtoi ai.

Opozita edhe njëherë kërkoi dorëheqjen e Ramës, kërkesë e cila do të ripërsëritet në protestat e paralajmëruara prej saj.

“Bëhu burrë dhe mbaj përgjegjësi. Dorëhiqu për të zhbllokuar jetën demokratike dhe integrimin e vendit në Europë, përndryshe do të përballesh me gjithë qytetarët e këtij vendi”, u shpreh Basha.

Top Channel