Turqi, tragjedia në minierë, 238 viktima

14/05/2014 00:00

Kryeministri turk, Recep Taip Erdogan deklaroi se numri i viktimave të shkakruara nga tragjedia në një minierë private qymyrguri në Perëndim të vendit ka shkuar në 238.

Recep Tayyip Erdogan i shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave dhe theksoi se do të bëhet çdo gjë që autoritetet kanë në dorë për të nxjerrë minatorët e bllokuar, ndërsa në një konferencë për mediat kryeministri turk njoftoi nisjen e një hetimi të gjërë për zbardhjen e shkaqeve të tragjedisë.

“Dua t’i bëj të ditur gjithkujt se do të ndërmerret një hetim i thellë në çdo aspekt të tragjedisë. Nuk do të lëmë gurë pa lëvizur për të zbardhur të vërtetën”, tha ai.

80 janë të plagosurit, disa nga të cilët në gjendje kritike për jetën. Nën tokë mund të jenë ende 400 vetë dhe operacioni gjigant i shpëtimit është penguar nga reja e dendur e pluhurit dhe tymit.

Taner Yildiz, ministër i Energjisë, thotë: “Fatkeqësisht të dhënat e fundit tregojnë se vdekjet janë mbi 200. 80 minatorë janë plagosur, ndërsa ka dhe të lënduar të tjerë të cilët nuk punonin në minierë, por kanë mbërritur aty pas incidentit.

Shkak i fatkeqësisë, nga raportet e fundit, rezulton të jetë bërë shpërthimi i një transformatori i cili u pasua shumë shpejt nga një zjarr i fuqishëm në minierë. Arsyeja mendohet të ketë qenë një defekt elektrik. Të vdekurit e të plagosurit, sipas CNN-it, kanë në trupa shenja djegieje dhe intoksimi.

Gjithsej, 790 minatorë u bllokuan të martën nën sipërfaqen e tokës dhe vetëm një pjesë e tyre arritën të dalin dhe të shpëtojnë jetën. Përfaqësuesit e sindikatës thanë se shpërthimi në minierën e Somas, në provincën Manisa ndodhi gjatë ndryshimit të turneve e pikërisht kjo është arsyeja për pasiguritë rreth numrit të minatorëve të bllokuar brenda saj.

Presidenti turk Abdullah Gyl urdhëroi guvernatorin rajonal të vërë në dispozicion të gjitha mjetet e mundshme për shpëtimin e tyre, ndërsa kryeministri turk.

Aksidentet në minierat e Turqisë me pasoja vdekjeprurëse janë të shpeshta për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë. Nga një episod i ngjashëm në vitin 1992, 263 vetë humbën jetën prej një shpërthimi gazi në puset e minierës së  Zonguldak-ut.

Top Channel