A të thashë që do të kap?

14/05/2014 00:00

Fatos Baxhaku – Matanë Shkumbinit, me gjasë edhe andej nga Divjaka apo Karavastaja, të vjetrit rrëfejnë një histori të vjetër.

Thonë se, qëmoti një grua qejfleshë ia dridhte burrit. Të shkretit bashkëshort të urtë ashtu ia donte puna, që të udhëtonte shpesh lart e poshtë për të mbajtur familjen me bukë. Më kot rrekeshin miqtë e tij që t’i hidhnin ndonjë fjalë si larg e larg teksa rrëkëllenin ndonjë kupë raki: More, po shiko se jot shoqe nuk po na duket fort në rregull… More po mblidhja frerët njëherë se nuk ka lezet kështu, more po kështu e ashtu. Burri kishte besim tek e shoqja që e kishte marrë me një okë dashuri, porse ja që jeta bënte të vetën. Ai vetë e këshilloi shumë gjatë të shoqen që të mos bënte gabime të tilla të rënda, që binin në sy të bashkëfshatarëve, por ajo, me sa duket, vazhdonte rrugën që kishte zgjedhur vetë. Më në fund, si rrethi i fjalëve mbytëse erdhi e u bë gjithnjë e më i ngushtë, burri i ngratë, që besonte te gruaja deri në atë kohë, vendosi më shumë të provonte veten sesa gruan. Atëherë vendosi të nisej gjoja si në një udhëtim të gjatë dhe befas u kthye bashkë me karvanin e tij në gardhin e shtëpisë. Çfarë i panë sytë?! Gruaja, që ai e donte aq shumë, ishte shtrirë bash e në shtratin e tij martesor me jaranin e mallkuar. Fjalët na paskëshin qenë të vërteta! Atëherë, si mblodhi të gjitha fuqitë e shpirtit, ai më në fund u inatos dhe ulëriti: Grua, a të pata thënë që do të të zë? “Po im shoq”, thuhet të jetë përgjigjur gruaja tradhtare. “E po ja që më doli fjala moj grua”, tha burri teksa dashnori ia mbathte me të katra me mbathje ndër këmbë. Kaq ishte, ishte puna që të kishte të drejtë. Nuk ishte aspak halli te tradhtia bashkëshortore e te dënimi i saj.

Që rasti i avionit që ra në Divjakë të mos bëhet objekt barsoletash që do t’i rrëfejnë njësoj nipërit tanë, është puna që të mos merremi shumë me rrotat, me kapacitetin, me llojin e avionit, me makinat rreth e rrotull, sesa ta vrasim mendjen të gjithë, politikanë, drejtues policie, analistë, reporterë, bashkiakë, mësues, mjekë, të rinj, të tërë, se çfarë po ndodh me ne, me vendin tonë, me të ardhmen e fëmijëve tanë.

Fjalimi i djeshëm i Kryeministrit Rama, para shtypit, ishte më shumë një shkrim i hartuar fort bukur, i ndier, i rebeluar, por edhe një mënyrë për të thënë se dikush i kishte hartuar një lloj komploti pas shpine për ta dëmtuar atë dhe qeverinë e tij. Një koincidencë e pabesueshme për të dëmtuar atë dhe imazhin e Shqipërisë në këtë prag bisedimesh finale për statusin e asociimit me Europën. Me një fjalë, një komplot i lig. Mbase xhanëm, tani nuk duhet thënë jo për asgjë.

Në krahun tjetër, nga ana e opozitës, vazhduan deklaratat e ashpra që kërkonin dorëheqjen jo vetëm të ministrit Tahiri, por edhe të vetë qeverisë Rama. Në këtë pikë duhet të kuptojmë se politika ka armët e veta dhe ta lëmë ca kohë të bëjë atë që ka bërë më mirë në këto kohë, polemikën deri në betejë pa fund. Ne, si qytetarë të thjeshtë, vetëm mund të nxjerrim disa mësime nga e tërë kjo mesele e ngatërruar. Ose më mirë, më e pakta që mund të kemi në dorë, është të shprehim disa gjëra që na vrasin sytë.

Më e para nga të gjitha është se një lloj vetëbesimi i tepruar, një lloj arrogance karshi opozitës, pakicës, mendimit ndryshe, kritikave, është ajo që çoi në shndërrimin e një mushkonje në një avion. I dyti gabim, sipas mendimit tonë modest, është fort i vjetër. Ai është identifikimi i opozitës së sotme vetëm me një person të vetëm, me Sali Berishën. Ky ka thënë plot të pavërteta, ka sharë e ka ofenduar. Këtë e di edhe ai vetë. Porse ja që vetëm Berisha nuk është PD-ja. Kohët paskan ndryshuar dhe opozita duhet marrë si pjesë e rëndësishme e këtij vendi, po aq sa edhe vetë qeveria. Ndryshe ndodhin shakara të pakëndshme mbi rërë.

Një eufemizëm, që po përdoret gjithnjë e më shumë këto kohët e fundit është togfjalëshi “imazhi i Shqipërisë”. Ne, qoftë mediat, qoftë politika, kemi pasur kujdes që të krijojmë dy Shqipëri, një që e njohim të gjithë, pra një për vete, dhe një tjetër për të huajt. Çdo kritikë, çdo imazh që të vret sytë, çdo idiotësi e fiksuar, çdo marrëzi shqiptare akuzohet si tentativë për të nxirë imazhin “e papërlyer” të Shqipërisë. Ky qëndrim ndaj kritikave ka ekzistuar si në kohën e Saliut, edhe në kohën e Nanos, më pak në kohën e Majkos dhe Metës e tash edhe në kohën e Ramës. Ne vetë duhet të jemi të parët që jo vetëm të pranojmë anët tona të nxirosura, por edhe t’i gëlltisim ato me dinjitet. Kritikat që i bëjnë Tahirit nuk kanë të bëjnë aspak me Policinë e aq më pak me policët e thjeshtë e të lodhur, sikurse thuhet. Pastaj, besojmë se shumica e shqiptarëve e dinë se nga vjen hashashi që kapet me tonelata brenda e jashtë vendit. Dihet se ç’është Lazarati për Ballkanin e për Europën. Por për shefat e policisë nuk është aspak kështu. Ata pinë kafe atje, bëjnë shëtitje turistike dhe nuk e ndiejnë aspak erën e hashashit. Mbase nuk kanë faj, se nuk e kanë provuar asnjëherë. Pastaj policët luajnë me lazaratasit në një minikalçeto asnjanëse dhe munden paq prej tyre. Kujt i duhen këto shfaqje patetike që ofendojnë edhe logjikën e shqiptarit më të lodhur? Dhe këtu dalim në një pikë tjetër. Propaganda është arma më e vjetër e politikës, kjo dihet dhe nuk ka nevojë për mend. Por që nga kjo të kalojmë në shou të përmasave alogjike dhe ofenduese kjo është dritëshkurtër për çdo politikan apo qeveritar. Tendenca për të dalë në çdo minutë në tv, mania për të justifikuar gjithçka, për të monopolizuar të vërtetën dhe të drejtën, entuziazmi djaloshar përmbi të peshuarit e fjalës, marrja përsipër e sukseseve, por edhe e gabimeve të të tjerëve të gjitha këto padyshim që do e sillnin një avion në Divjakë, njësoj si dikur pat ardhur gomonia e Xhevdet Mustafës më 1982-shin. Detajet e tjera, si erdhën, kush i solli, përse në mes të ditës, si u filmuan, të gjitha këto janë pjesë të një skenari fort të bukur policesk, por ne këtë film tashmë e kemi parë.

Në këtë betejë të fundit, që lindi nga avioni dhe droga, është përdorur edhe një atu tjetër. Qeveria sot thotë që droga është mbjellë në periudhën kur qeveriste PD-ja dhe paraqet shifrat e suksesit njësoj si përpara kur bëhej krahasimi me Shqipërinë e 1938-s. Mbase ka të drejtë e mbase jo, sepse njerëzit, qofshin këta edhe socialistë të përbetuar, në kohët e internetit nuk kanë më nge të dëgjojnë për “zullumet” e Berishës, por kanë mendjen ta kenë të prekshëm përmirësimin e jetës së tyre. Më shumë se kurrë është koha të shohim përpara dhe jo pas. Se ç’ka ndodhur në vitet që kaluam do të na e thonë historianët pas ca dekadash.

Nga ana tjetër, opozita nuk ka asnjë shkak të ngazëllehet. Shqipëria e sotme është bërë nga të dy krahët, nga demokratë e socialistë, në të mirë e në të keq. Zoti Basha, e di fort mirë se ç’ka qenë e se ç’është Lazarati, ai vetë ka qenë ministër i Brendshëm për do kohë. Ai vetë mund ta ndihte me këshilla njeriun të cilit sot po i kërkon dorëheqjen. Zakonisht është më fisnike që kundërshtarit të plagosur t’i jepet ndihmë e pastaj të ftohet në duel. Nëse e mbani mend, Rama e pat bërë me Berishën atëherë kur ndodhi Gërdeci. Të gjithë e mbajmë mend atë rrahjen ngushëlluese mbi shpatullat e varura të Kryeministrit të atëhershëm. Që krimi të mos na pllakosë të gjithëve, duhet të jemi të gjithë bashkë në një front të bashkuar, demokratë, socialistë, zogistë, ballistë, ekologjistë. Kjo çështje tashmë nuk është më vetëm punë e politikës, por e të gjithëve, absolutisht e të gjithëve. Sa më shumë që ky front çahet, aq më shumë fërkojnë barkun bosët e panginjur të drogës.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel