Turqi, 274 viktima në minierë, protesta

14/05/2014 00:00

Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet, me shpresën për të gjetur të gjallë minatorët e bllokuar brenda minierës së qymyrgurit në qytetin Soma, në perëndim të Turqisë. Dhjetra mundën të shpëtojnë, pas shpërthimit të fuqishëm, ndërsa të paktën 120 rezultojnë të humbur.

Gjatë vizitës në Soma, kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan tha se “çdo aspekt i tragjedisë do të hetohet dhe asnjë gur nuk do të qëndrojë i palëvizur”. Sipas BBC, deri tani numri i viktimave ka shkuar në të paktën 274.

“Na është thënë se rreth 120 minatorë janë bllokuar brenda. Mund të jenë më shumë, ose më pak. Këto shifra na janë dhënë prej punonjësve të kompanisë. Këto shifra mund të kenë lëvizur pak, sepse të tjerë minatorë të pajetë janë nxjerrë. Ne vazhdojmë të shpresojmë se ka ende të mbijetuar, që duhet të shpëtohen, megjithëse mund të jenë të plagosur rëndë”, tha kryeministri turk, Erdogan.

Protesta pati në Ankara, ku të paktën 800 persona akuzuan qeverinë për abuzim. Policia përdori gazin lotsjellës dhe pompat e ujit për t’i shpërndarë protestuesit, që po marshonin nga Universiteti i Ankarasë deri në Ministrinë e Energjisë.

Protesta pati edhe në Stamboll, jashtë selisë së kompanisë, në pronësi të së cilës është miniera. Mbi 350 minatore u shpëtuan por, orët e fundit, nuk janë gjetur të mbijetuar. Turqia shpalli tre ditë zie kombëtare për viktimat.

Ministri i Energjitikës, Taner Jilldiz, tha se 787 persona ndodheshin brenda minierës, kur ndodhi një difekt elektrik, që shkaktoi shpërthimin rreth orës 12:30 të së martës. Minatorët u bllokuan 2 km nëntokë dhe ndodheshin 4 km larg hyrjes së minierës, që ishte privatizuar në vitin 2005.

Nxjerra e qymyrgurit është industria kryesore në zonën e Soma-s, por kushtet e sigurisë kanë qenë një shqetësim. Rreth 40% e energjisë elektrike të Turqisë varet nga qymyrguri. Analistët janë të mendimit se kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan do ta shohë këtë tragjedi si një testim për reputacionin e tij, dhe ai është i vetëdijshëm që qeveria e mëparshme humbi zgjedhjet, sepse nuk menaxhoi siç duhej tërmetin e vitit 1999.

Top Channel