Prej ditësh ka pasur debate të ashpra për trafikun e drogës. Figurat më të rëndësishme të politikës shqiptare kanë debatuar me njëri-tjetrin, gjithashtu edhe në media është folur gjerësisht për avionin që u ul në Divjakë.

Në puntatën e kësaj të mërkure në “Top Show”, ekspertë të aviacionit dhe të policisë kanë diskutuar lidhur me rastin në fjalë.

Të ftuar në panelin e gazetarit Alban Dudushi ishin Feliks Baci, nëndrejtor i Autoritetit te Aviacionit Civil, Ervin Hodaj, drejtor i Policisë së Fierit, Kreshnik Gashi, ekspert i hetimit të aksidenteve ajrore, Roland Dorozhani, inxhinier mekanik i licencuar për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e avionëve, si edhe Arjon Sulo, kryeredaktor i gazetës “Mapo”.

Pyetjes së parë, mbi tipin e avionit dhe mbi karakteristikat e tij, i është përgjigjur inxhinieri Dorozhani,  i cili ka shpjeguar me detaje karakteristikat e avionit.

“Avionët ndahen në kategori në bazë të peshës së tyre, avioni në fjalë cilësohet jo shumë i vogël. Pesha bosh e avionit ‘Piper’  është rreth 250-300 kilogram, pa karburant. Relativisht cilësohet si një avion i shpejtë, shkon deri në 300 km në orë. Një avion i tillë ulet me rreth 100 kilometra në orë dhe pista minimale që ai të kryej një ulje normale është 20 metra gjerësi dhe 400 metra gjatësi, mund të ulet në pista me barë ose me rërë të ngjeshur mirë. Një ‘Piper’ mund të ngrejë një peshë rreth 500 kilogram dhe mund të bëjë distanca të largëta”

Kreshnik Gashi dhe Dorozhani kanë qenë të mendimit se është çmenduri të ulesh në një zonë si ajo e Divjakës, ku tentoi të ulet edhe italiani Giorgio Riformato.

“Nuk kam parë një avion të tillë të ulet në një zonë si ajo e Divjakës. Të tillë avioni janë shumë të shpejtë dhe kërkojnë një pistë të ngjeshur mirë dhe me një gjatësi rreth 400 metra. Nga ana teknike kjo ulje është jashtë çdo norme”, ka thënë Kreshnik Gashi.

Feliks Baci, nëndrejtor i Autoritetit te Aviacionit Civil është pyetur për rregulloren që i bindet ky lloj avioni për t’u ngritur dhe për t’u ulur. Ai është përgjigjur se ky avion është lejuar të ulet, pasi hyn në linjat normale. “Shteti jonë ka obligim, duke qenë i aderuar në Konventën ndërkombëtare të aviacionit civil për të pranuar një mjet fluturues nga një shtete që palë në këtë Konventë. Në këtë rast nuk kishte asnjë arsye për të mos e lejuar këtë avion të ulej në aeroportin e Rinasit. Autoritetet italiane kanë bërë kërkesën në Shqipëri, sipas rregullave dhe ajo nuk mund të refuzohej”. Baci ka shtuar se shtetasi italian nuk është regjistruar në sistemin TIMS, pasi ai nuk është një pasagjer, por pilot dhe mbi të ka lehtësira, mbi ta ka një status të veçantë.

Kronologjia e plotë e ngjarjes në plazhin e Divjakës

Në pjesën e dytë të emisionit ka folur drejtori i Policisë së Fierit, i cili ka bërë një kronologji të plotë të ngjarjes nga momenti i uljes së avionit e deri në arrestimin e Saimir Bajramit.  

“Në orën 14:11 është komunikuar shefi i komisariatit të policisë për një avion që po bënte xhiro në plazhin e Divjakës dhe po vinte nga zona e Bedatit në drejtim të Divjakës, duke u përpjekur për t’u ulur. Ky informacion i është komunikuar si sallës operative ashtu edhe komisariatit të Lushnjes, si edhe patrullave të stacionit të Divjakës, ku ndodhen 2 patrulla, ajo e Policisë Kufitare dhe një patrullë që merret me problematikat policore të bashkisë së Divjakës. Dy minuta më vonë patrulla e stacionit të Divjakës ka pasur kontakt viziv dhe zanor nga avioni sepse avioni ka bërë 2 ose 3 xhiro rreth vendit ku është ulur. Stacioni i Divjakës është shumë afër rreth vendit të ngjarje, mund të jetë rreth 1 kilometër dhe plazhi gjatë asaj ditë të shtune ka qenë goxha i populluar edhe me pushues të shumtë. Pasi kanë marrë kontaktin e parë të dyja patrullat janë afruar pranë vendit të ngjarjes, pikërisht 9 minuta pas kontaktit. Patrullat kanë konstatuar pilotin, me 2 çanta te këmbët, pranë avionit dhe janë interesuar në fillim për shëndetin e tij. Piloti është shprehur se nuk duhet t’i afrohen avionit, pasi mund të kishte rrjedhje karburanti dhe mund të ishte me rrezik. Menjëherë shefi i komisariatit të Lushnjes ka njoftuar shefin e komisariatit të qarkut, meqënëse nuk ishte një rast i zakonshëm është njoftuar edhe drejtori i përgjithshëm i policisë, por edhe ministria e Brendshme, të cilët dhanë urdhër për zhvillimin e operacionit të shpëtimit. Me marrjen e këtyre kontakteve u ngritën dyshimet dhe njëra patrullë e policisë është shkëputur, duke shkuar në rrugën që lidh plazhin e Divjakës me qytetin e Divjakës. Gjatë këtij patrullimi janë konstatuar 2 mjete dhe 2 persona ku njëri është larguar menjëhera sapo ka parë policinë. Ky person është futur në pyll. Patrulla e përbërë vetëm nga 3 persona ka konstatuar se në automjet kishte diçka të dyshimtë dhe ka bllokuar atë ka ndaluar edhe personin që qëndroi. Menjëherë janë njoftuar shërbimet e tjera policore për personin që ishte larguar. Këtu nis operacioni policor, ku nuk kemi një rast shpëtimi, por tani kemi një të dyshuar dhe një sasi lënde narkotike. Më pas kanë marrë pjesë të gjitha forcat e policisë të komisariatit të Lushnjes, të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, FNSH-ja, por priteshin të vinin edhe forca speciale nga Tirana. Operacioni u zhvillua edhe në qarqe të tjera pas verifikimit të targave të mjetit që rezultuan nga qyteti i Krujës. Për 30 minuta më pas është rrethuar pylli i Divjakës, duke u bllokuar çdo hyrje në këtë zonë.

Pse nuk u lanë gazetarët në vend ngjarje?

“Jemi në një vend ngjarje dinamike që fillon nga avioni dhe përfundon në pyll ku është një i dyshuar, në këtë mënyrë nuk mund të lejonin asnjë person të hynte ose të dilte nga zona edhe nëse ishte gazetar. Pushuesit mbaheshin nën kontroll. Operacioni vazhdojë për më shumë se 2 orë për të gjetur personin. Erdhën edhe forca të tjera nga Tirana dhe rreth orës 17:50 është bërë i mundur arrestimi i personit të dyshuar, i cili nuk ka bërë rezistencë dhe i është gjetur celsi i makinës, dokumentat si edhe një shumë parash” ka thënë Ervin Hodaj, drejtor i Policisë së Fierit.

Top Channel