Protestuesit godasin makinën e Erdogan

15/05/2014 00:00

Tragjedia në minierën, në perëndim të Turqisë, ku humbën jetën 274 minatorë nxiti protesta kundër qeverisë, në qytetin Soma, në Ankara dhe Stamboll.

Në Soma, dhjetëra persona rrethuan makinën e kryeministrit turk, Rexhep Taip Erdogan gjatë vizitës në vendin e tragjedisë. Pas konferencës për shtyp, ku ai u zotua se “çdo aspekt i tragjedisë do të hetohet”, ata goditën makinën dhe kërkuan dorëheqjen e tij.

Pamjet tregojnë kryeministrin turk të rrethuar nga truprojat, që kërkon të gjejë strehe në një dyqan. Ata sulmuan edhe zyrat e partisë së tij AK në Soma. Policia bëri këtu disa arrestime.

Në kryeqytetin Ankara, forcat e rendit përdorën gazin lotsjellës dhe pompat e ujit për të shpërndarë 800 protestuesit që po marshonin nga universiteti në Ministrinë e Energjetikes.

Në Stamboll, u zhvilluan protesta jashtë selisë së kompanisë së minierave “Soma Holding”. Erdogan u kritikua në mediat sociale si i pandjeshëm, kur numëroi disa aksidente që kanë ndodhur në botë, duke përmendur edhe ato në minierat e Britanisë së Madhe, në shekullin e 19-të.

Shpërthimi në minierën private të qymyrgurit qe u privatizua në vitin 2005, ndodhi të martën pak pas mesditës. Orët e fundit nuk janë zbuluar të mbijetuar dhe mbi 100 minatorë rezultojnë të humbur; të paktën 450 minatorë u shpëtuan sipas kompanisë që ka në pronësi minierën, 80 prej të tyre u kuruan, por asnjëri nuk është në gjendje të rëndë.

Turqia shpalli tre ditë zie kombëtare për viktimat. Ministri i Energjetikës, Taner Yildiz tha se 787 minatorë ndodheshin brenda minierës kur ndodhi një defekt elektrik, që shkaktoi shpërthimin. Ndërkohë, sindikatat kanë njoftuar për një grevë një-ditore.

Minatorët u bllokuan 2 km nëntoke dhe ndodheshin 4 km larg hyrjes së minierës. .Nxjerrja e qymyrgurit është industria kryesore ne zonën e Soma-s, por kushtet e sigurisë kane qene gjithnjë shqetësuese. Rreth 40 % e energjisë elektrike të Turqisë varet nga qymyrguri.

Shtetet e Bashkuara i ofruan ndihmë qeverisë turke të mërkurën, pas tragjedisë. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney e cilësoi Turqinë një mik dhe aleat të ngushtë të Shteteve të Bashkuara.

Top Channel