Turqi, sindikatat në grevë

15/05/2014 00:00

Sindikatat turke kanë nisur një grevë njëditore në mbarë vendin, në shenjë proteste ndaj fatkeqësisë më të rëndë të minierave në vend, që mori të paktën 282 jetë njerëzish.

Krerët sindikalistë pretendojnë se privatizimi i sektorit i ka bërë edhe më të rrezikshme kushtet e punës. Nga e enjtja, Turqia nisi tri ditë zije në nder të viktimave, ndërsa zemërimi kundër qeverisë shpërtheu në disa qytete të saj, në formën e tubimeve nëpër rrugë.

Në Soma, njerëzit shkelmuan makinën e Erdogan-it dhe kërkuan dorëheqjen e tij, pas konferencës për shtyp që kishte mbajtur mbi tragjedinë. Shefja e Konfederatës së Sindikatave të Tregtisë, Arzu Cerkezoglu, i bëri thirrje qytetarëve të vishen në të zeza e të marshojnë drejt energjisë së punës në kryeqytet.

Deklarata e një grupi tjetër sindikalist thoshte se personat, që ndjekin politikat e privatizimit e kërcënojnë jetët e punëtorëve për të reduktuar kostot, janë përgjegjësit e vërtet të masakrës së Somas, ndaj duhet të mbajnë përgjegjësi.

Nga sa raportojnë autoritetet, 363 minatorë u shpëtuan në orët pas shpërthimit, por që prej mëngjesit të së mërkurës, askush nuk është nxjerrë më i gjallë nga miniera e qymyrgurit, në rajonin e Manisas.

Ministri i Energjisë, Taner Yildiz, foli për tetë trupa të tjerë të pajetë, të nxjerrë gjatë natës, çka e çoi bilancin e vdekjeve nga 274 në 282. Rreth 150 minatorë vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur.

Operacioni i shpëtimit u pezullua për disa orë për shkak të përqendrimeve të larta të gazit nëntokë, që u desh ta pastronin. Nga ana tjetër, në minierë vazhdonte të digjej një zjarr, i cili i ka vështirësuar edhe më shumë përpjekjet e kërkimit.

Miniera e Soma-s u privatizua në 2005-n. Një ligjvënës i opozitës e akuzoi qeverinë e Erdogan-it se ka refuzuar propozimin për hetim parlamentar, mbi të gjitha aksidentet e këtij lloji në zonë, ndërsa Ministria e Punës pretendon se në minierën e tragjedisë ishin kryer inspektime të rregullta, më i fundit prej tyre në muajin Mars.

Turqi, kritikave standardeve të sigurisë në miniera

Pas aksidentit të 1992, me 260 viktima, nuk janë marrë masat e duhura parandaluese

Pas aksidentit të rëndë të së martës janë shtuar kritikat për standardet e sigurisë, jo vetëm në minierat turke, por edhe në mjaft shtete të botës.

Gati 300 minatorë humbën jetën në fatkeqësinë që tronditi vendin, pasojë – sipas gjasave, – e shpërthimit të pajisjeve elektrike nëntokë.

Ekspertët shpjegojnë se një rrezik i tillë ekziston gjithmonë nëpër miniera. Në rastin e një shpërthim të tillë në galeri, bëhet i pamundur furnizimi me oksigjen, e shkatërrimet prej zjarrit mund të sjellin ndërprerjen e lidhjeve kabllore të telefonit.

Si rregull, nëpër galeritë e minierave duhet të ketë vende të mbrojtura, ku mund të strehohen minatorët në raste avarish, por nuk dihet nëse ky ishte rasti i minierës së Somës.

Këtë pyetje shtrojnë tani edhe sindikalistët turq. Standartet e sigurisë në minierat turke janë shumë larg atyre ndërkombëtare, mangësi e vënë në dukje edhe më parë.

Në fjalën e tij të mërkurën, përpara familjarëve të minatorëve, kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan e përshkroi fatkeqësinë si pjesë të mallkimit, që rëndon mbi këtë biznes të rrezikshëm.

Për të ilustruar më mirë fjalët e veta, shefi i ekzekutivit rreshtoi një seri aksidentesh të tmerrshme të së shkuarës, duke përmendur deri edhe një rast në Britaninë e shekullit të 19.

Por, një grup inxhinierësh që po heton shkaqet e kësaj tragjedie, lëshoi akuza të forta ndaj qeverisë, duke thënë se ajo që ndodhi në Soma nuk ishte fat i keq, ishte vrasje.

Deri më tani, aksidenti më i rëndë në një minierë turke konsiderohej ai i Zonguldak-ut në 1992-shin, ku humbën jetën 260 vetë. Por, ekspertët thonë se pllaka përkujtimore e vendosur atje për të kujtuar viktimat tingëllon si ironi fatkeqe, për sa kohë nuk u shoqërua me masa të mjaftueshme parandaluese, që episode të tilla në të ardhmen të mos përsëriteshin më.

Top Channel