Turqi, gaz lotsjellës protestuesve në Soma

16/05/2014 00:00

Policia turke përdori gazin lotsjellës dhe pompat e ujit kundër mijëra protestuesve në lindje të qytetit Soma, ku – pas shpërthimit në minierë – humbën jetën 300 minatorë.

Protesta nisi pas konferencës për shtyp të kompanisë, në pronësi të së cilës ishte miniera, e cila hodhi poshtë çdo lloj neglizhence nga ana e saj. Protesta anti-qeveritare u zhvilluan në të gjithë Turqinë këto tre ditët e fundit, mbi incidentin më të rëndë në minierat e këtij vendi.

Mijëra protestues u mblodhën në qendër të Somas, të premten, duke bërtitur “Populli i Soma-s, dëshmo solidaritetin tënd me minatorët”. Më herët, përfaqësuesit e “Soma Holding” nënvizuan përgjigjen ndaj tragjedisë, dukë thënë se përparësia e tyre ishte të shpëtonin jetët e njerëzve.

Sipas përfaqësuesve të kompanisë, “rritja e temperaturës në minierë duket se ka qenë shkaku i shembjes së minierës”. Ministri i Energjitikës, Taner Yildiz, tha se “ka ende zjarr brenda minierës, por intensiteti i flakëve po ulet”. Sipas tij “cilido që neglizhoi për sigurinë e minierës do të ndëshkohet”.

Familjarët e minatorëve që humbën jetën zhvilluan një ceremoni lutjesh në varrezat e Soma-s, ku ata do të prehen.

Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan është kritikuar dhe cilësuar “i pandjeshëm”. Video, ku ai duket se shtyn një protestues, është publikuar në shumë media turke. Po kështu, edhe fotoja e ndihmësit të tij, Jusif Jerkel, që qëllonte me shkelma një protestues.

Pas shpërthimit të fuqishëm në tunelet e minierës, u përhap me shpejtësi gazi monoksid karboni nëntokë, ku ndodheshin 787 minatorë. Mbi 18 rezultojnë të humbur, 363 arritën të shpëtojnë, ndërsa 122 janë të plagosur.

Top Channel