Turqi, aksidenti në minierë, 25 të arrestuar

18/05/2014 00:00

25 persona janë arrestuar në Turqi në lidhje me aksidentin e minierës së qymyrgurit në Soma, ku humben jetën mbi 300 minatorë.

Në mesin e të ndaluarve janë edhe drejtuesit ekzekutivë të kompanisë që ka minierën në zotërim. Kërkimet përfunduan të shtunën me nxjerrjen e trupave të pajetë të dy minatorëve të fundit.

Bilanci i vdekjeve e kthen këtë në fatkeqësinë më të madhe të këtij lloji në historinë e vendit. Arrestimet përbëjnë lajmin kryesor të të gjitha televizioneve në vend, një pjesë e mirë e të cilave i transmetoi direkt.

Një prej familjarëve të viktimave ka akuzuar drejtuesit e kompanisë si përgjegjësit kryesorë të fatkeqësisë, duke kërkuar dënim maksimal për ta.

Përfaqësuesit e kompanisë nuk kanë pranuar se incidenti ndodhi për shkak të neglizhencës. Edhe gjatë ditës së shtunë me qindra persona marshuan në Izmir, gjithashtu edhe në Stamboll dhe në Ankara.

Në Soma autoritetet lokale kanë ndaluar demonstratat. Policia ka ngritur pika të shumta kontrolli dhe ka arrestuar me dhjetëra persona.

Top Channel