Unifikimi me Kosovën

04/06/2014 00:00

Shqipëria dhe Kosova arritën një marrëveshje në arsim, e cila u cilësua si historike në këtë fushë. Jo më vetëm tekste të unifikuara, por një sistem arsimor i unifikuar.

Në një intervistë për “Revistën Televizive të Mbrëmjes” në Top Channel ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla u shpreh se kurrikulat të cilat do të zbatohen pas kësaj marrëveshje janë ato të standardeve europiane.

Ministrja e Arsimit shtoi se sistemi, i cili po implementohet në Kosovë është një hap përpara Shqipërisë, e cila ka mbetur e fundit me kurrikulën e vjetër që zbaton.

Ndërsa, mbi reformën për arsimin e lartë, e cila ka hapur debate ditët e fundit në vend si edhe reagime nga ana e studenteve, ministrja Nikolla theksoi se qeveria nuk do të tërhiqet në këtë rrugë të nisur, por çdo hap që do ndërmerret do ketë prioritet studentët dhe nuk do i cenojë aspak ata.

Pandi Gjata: Ishte e vështirë të arrihej kjo marrëveshje dhe sa kohë ju desh për të negociuar me autoritetet në Prishtinë.

Lindita Nikolla: Kishte vullnet dhe një punë të përbashkët midis dy stafeve tona, profesionist dhe njerëz të përkushtuar në arsim që punuan si një trup i vetëm. Ajo që i kaloi të gjitha pritshmëritë ishte koha e shkurtër, ku u tregua edhe një herë që kur ka vullnet nuk ka kufij. Kur Kryeministri Rama mbajti fjalën e tij në Parlamentin e Kosovës dhe përmendi për herë të parë unifikim të sistemit parauniversitar shqiptar, unë kisha dilemat e mija, por ministrit Buja u duk diçka e madhe dhe më tha ‘nëse do ta realizonim këtë do të ishte historike dhe unë do ta kisha si gjënë time më të gëzueshme të jetës’.

Pandi Gjata: A kishim komplekse që ne do të marrim modelin e sistemit të tyre?

Lindita Nikolla: Është e vërtetë që ka pasur komplekse në të shkuarën edhe pse flitet për nacionalizëm. Ne të flasim për atë që ka ndodhur në këto 8 muaj, një punë plot vullnet, një qëndrim të qartë për zgjidhjen përfundimtare për 2 sistemet tona. Stafet kanë punuar pa bujë, të shtunë dhe të diel kanë gjetur kohë formale dhe informale që të jenë bashkë për të mundësuar këtë marrëveshje. Kjo marrëveshja ka të veçantën e vet, ne sot me ministrin Buja nuk firmosën një marrëveshje thjesht dhe vetëm se u përmend nga dy qeveritë tona, por ne sot vijmë me një dokument për të cilën kanë punuar të dyja palët, kemi të qartë të gjithë programin se si do të operohet dhe ne firmosëm planin e veprimit, i cili do të prekë shkollën shqiptare dhe atë të Kosovës për ta integruar në hapësirën e shkollore europiane. Kurrikula që ne do të zbatojmë është ajo e standardeve europiane. Ju pyetët për dilema dhe ka pasur në palën shqiptare, në kuptimin që ‘ne do të bëhemi si Kosova’? Këto ishin pyetje frekuente që shqetësonin të gjithë punën e këtyre muajve. Por sistemi i cili po implementohet në Kosovë është një hap përpara Shqipërisë që ka mbetur e fundit me kurrikula e vjetër që zbaton, të bazuar në objektiva dhe në lëndë, ndërsa Kosova ka në sistemin e saj arsimor një kurrikul që është e orientuar te rezultatet dhe bazohet në kompetenca, kjo do të thotë i përgatit nxënësit për të bërë të nesërmen sukses në tregun e punës apo në botën e dijes. Me këtë qasje sistemi shqiptar ka fituar shumë, kjo mundëson që një nxënës shqiptarë apo kosovar mund të lëvizi brenda 2 vendeve, por njëherësh mund të lëviz edhe në vendet e BE-së për të vazhduar studimet.

Pandi Gjata: Si do të përkthehet kjo marrëveshje në praktik dhe kur do të nisë të zbatohet?

Lindita Nikolla: Ne do të vijojmë në shtator. Shkolla shqiptare është e avantazhuar, pasi Kosova ka marr eksperiencë nga ndërkombëtarët, gjatë zbatimit në praktikë në disa shkolla la zgjidhur edhe disa probleme, të cilat te ne vinë si zgjidhje. Ne do të fillojmë në 13 qarqet e vendit, në 13 shkolla, por edhe më shumë. Po përdorim edhe ekspertizën e huaj. Këto shkolla që do të futen në këtë sistem të ri do të jenë edhe në qytet edhe në fshat në mënyrë që matja dhe zbatimi të pasqyrojë realitetin që është në Shqipëri. Ky realitet i ri do të unifikojë qasjen e re, e theksoi fiton sistemi shqiptar, pasi i bashkëngjitet të gjitha vendeve të BE. Kjo që ka ndodhur sot do të ndihmojë në integrimin e dy vendeve tona.  

Pandi Gjata: Kemi edhe shqiptarë në Mal të Zi, Maqedoni edhe në Preshevë, të cilët i janë gëzuar marrëveshjes, por pyesin se kur do të kenë edhe ata të njëjtët tekste. A është menduar edhe kjo për të realizuar një hap tjetër të rëndësishëm?

Lindita Nikolla: Ne respektojmë integritetin e çdo vendi. Kemi filluar bashkëpunimin me shkollat që mësojnë shqip në këto vende, në kualifikimet e përbashkëta të mësuesve. Ne patëm një konferencë ndërkombëtare në Prishtinë që shënjoi një risi në kuptimin e në përafrimin e të gjitha shkollave të rajonit në këtë qasje të re. Procesi integrues i rajonit do të mundësojë që shkollat shqip folëse, kudo të jetë ajo, do të jetë pjesë e rëndësishme e shkollës europiane.  

Pandi Gjata: Doja t’ju pyesja edhe për reformën në arsimin e lartë, pati një draft, pati debate. Kemi një tërheqje apo jo?

Lindita Nikolla: Kjo është beteja më e bukur e dijes që është në këtë vend, si ngjarjen më të rëndësishme. Ka debat dhe ai është i shëndetshëm edhe kur është me tone të larta edhe me tubime si ai i një dite më parë nga studentët. Ne jemi të vëmendshëm, qetësisht, por vendosshmërisht për t’i shkuar deri në fund kësaj reforme. Absolutisht tërheqje, ka një mençuri prej qeveritarësh që duan të ndërtojnë një histori suksesi në arsimin e lartë shqiptar. Ne po ushtrojmë përgjegjësi që lidhet me inspektimet që nuk kishin ndodhur më parë, me verifikimin e kritereve të licencimit, për të gjitha institucionet publike dhe private. Situata thërret që të gjithë së bashku të ndryshojmë një herë e mirë faqen në cilësinë e arsimit të lartë. I shoh në sy, si studentët dhe pedagogët dhe i them që gjëja e për që duhet të bëjnë është të lexojnë me vëmendje draftin e parë.

Top Channel