Rreth orës 19:20 minuta Partia Demokratike e Kosovës doli në një konferencë për shtyp për të përshëndetur përmbylljen e procesit zgjedhor, i cili sipas saj, kaloi me sukses testin.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku u shpreh se zgjedhjet plotësuan të gjitha standardet europane, ndërsa akuzoi disa forca opozitare se duan të dëmtojnë imazhin e zgjedhjeve.

Çitakoi mohoi pretendimet dhe akuzat për manipulime në Skënderaj, ndërkohë që shprehu besimin tek fitorja e PDK. “Të dhënat nga zyrtarët e PDK në terren thonë se rezultatet do jenë shumë pozitive për Misionin e Ri”, u shpreh ajo.

Pak më herët reagoi Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila kërkoi nga organet kompetente mbrojtjen e votës së qytetarëve.  

“LDK u bënë thirrje organeve kompetente të sigurisë të ndërmarrin masa për mbrojtjen e votave të qytetarëve tani pas mbylljes së procesit zgjedhor. Duke iu referuar të dhënave të Demokracisë në Veprim, Veliu tha se dyshohet se në Skenderaj disa kuti janë mbushur, nga eksponentë të PDK-së. LDK nuk do të pranoj asnjë rezultat të keqpërdorimit të votave në asnjë vendvotim. I ftojmë gjitha partitë për shmangie të manipulimeve”, thuhet në deklaratën e LDK-së.

Por Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka mohoi akuzat se në Skënderaj janë mbushur kutitë me fletë votimi nga eksponentë të ndonjë partie të caktuar.

Incidente gjatë procesit të votimit

Prej orës 7 në mëngjes kur janë hapur vendvotimet në gjithë territorin e Kosovës e deri në ora 19 kur është bërë mbyllja e tyre, 8 persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës, për incidentet që dyshohen se i kanë shkaktuar gjatë mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.

Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, ka thënë gjatë një konference për media se parregullsitë në zgjedhje kanë të bëjnë kryesisht me marrjen e ryshfetit.

“Një person është arrestuar në një fshat të Mitrovicës pasi është kapur duke marr ryshfet. Një tjetër person është arrestuar pasi ka tentuar të votojë dy herë”, Laura Pula.

Pula po ashtu tha se prokurorët e shtetit, do të vazhdojnë punën dhe pas orës 19:00, atëherë dhe kur do të mbyllen vendvotimet, duke vëzhguar për se afërmi numërimin e votave.

Ndryshe edhe gjatë kësaj konference u tha se procesi zgjedhor nuk është përcjellë, me ndonjë incident madhor.

Ndërsa, sipas Baki Kelanit, drejtor i Informimit në Policinë e Kosovës, rastet e paraqitura deri më tani nuk kanë ndikuar në ecurinë e procesit zgjedhor.

Edhe koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim ka raportuar për parregullsi për parregullsi të ndryshme gjatë procesit zgjedhor.

Driton Selmanaj nga Demokracia në Veprim ka thënë se kanë marrë informacione nga vëzhguesit e tyre në terren se në 2 qendra votimi në Skenderaj janë parë persona duke mbushur kuti votimi. Megjithatë ai ka thënë se këto informacione nuk janë plotësisht të konfirmuara.

Në Skenderaj dhe Drenas, votim  familjar

Në Skenderaj dhe Drenas disa nga votuesit, të cilët nuk ishin të njohur me procedurat e votimit kërkonin ndihmën e familjarëve  duke votuar për ata. Për më tepër disa nga votuesit e Skenderajt nuk hezitonin të tregonin se e gjithë familja ka votuar vetëm për një subjekt politik.

Për dallim prej qytetarëve të komunave të tjera drenicasit deklaronin se janë te kënaqur me zhvillimet në komunat e tyre.

“Ndjehem mirë kur votoj pasi përcaktoj kush do të më udhëheqë mua dhe do të vendos për të ardhmen time. Skenderaj ka pësuar ndryshime, por presim edhe më shumë në të ardhmen”, tha një votues në Skenderaj.
 
Procesi i votimit u zhvillua edhe në Komunën e Drenasit. Edhe në këtë komunë nuk kishte ndryshime të mëdha. Drenica njihet si bastion i fuqishëm i partisë së Kryeministrit aktual Hashim Thaçi .
 

Top Channel