Ka përfunduar numërimi i votave, përveç atyre me kusht, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.

Rezultati konfirmon fitoren e PDK-së, e cila prin me 30.69%, e ndjekur nga LDK me 25,70%, Vetëvendosje me 13.48%, AAK 9,60%, Nisma për Kosovën 5.24%, ndërsa AKR nuk kalon pragun elektoral me vetëm 4,65%.

Ndërsa Lista Srpska me 4,21% për momentin mbetet po ashtu poshtë pragut, duke fituar vetëm 10 vendet e garantuara me Kushtetutë.

Renditja nuk e ndryshon konfiguracionin e Kuvendit, pasi PDK, LDK, VV dhe AAK ishin në po të njëjtën renditje edhe në zgjedhjet e 2010-s. Por, krahasuar me rezultatetet e zgjedhjeve të kaluara parlamentare, partitë politike kanë lëvizur renditjet e tyre nëpër disa nga qendrat kryesore të Kosovës.

Kështu, ndërsa PDK më 2010 ishte subjekti më i votuar në Gjilan, në zgjedhjet e vitit 2014 u radhit subjekti i tretë, pas LDK-së dhe Vetëvendosjes. Megjithatë, PDK ka dalë papritur kryesuese në Obiliq, ku pavarësisht se më parë nuk ka qenë as forcë e tretë, këtë herë u rendit e para.

Lidhja Demokratike e Kosovës është hequr nga lista e tri subjekteve më të votuara në Gjakovë, ndërsa po ashtu nuk ka mundur të rikthehet si forcë e parë as në Prizren.

Krahasuar me 2010, Vetëvendosje ka arritur ta ruajë pozicionin e saj si partia e dytë dhe e tretë në qendrat më të mëdha të vendit. Ndërsa partia e Ramush Haradinajt, e cila më 2010 ishte më e votuara në rajonin e Dukagjinit dhe e para në qytetin e Pejës, në këto zgjedhje nuk ka arritur të radhitet as e treta në këtë qytet. Tani, para AAK-së në Pejë ndodhen LDK dhe PDK.

Partia e Behgjet Pacollit, AKR, as në vitin 2010 nuk ishte në asnjë qytet e para, sikurse edhe në këto zgjedhje nuk ka shënuar rezultatete pozitive, duke humbur edhe shumë vota që kishte në zgjedhjet lokale në Gjakovë dhe Mitrovicë, komuna me të cilat qeveris pushtetin lokal.

Edhe në këto zgjedhje parlamentare Skënderaj ka dalë qyteti që vazhdon të jetë më i adhuruari për PDK-në, ku ky subject edhe kësaj radhe mori mbi 91 për qind të votave.

Partnerët e mundshëm të PDK

Megjithëse nuk janë ende zyrtare zgjedhësit kosovarë dhanë verdiktin e tyre të dielën ku Partia Demokratike e Hashim Thaçit u rëndit e para.

Por pavarësisht kësaj, PDK e vetme nuk ka shumicën e nevojshme për të formuar kabinetin e ri qeveritar dhe për këtë i duhet një koalicion. Por cilat janë mundësitë për koalicion? Kush janë partitë që mund t’i bashkohen PDK-së në qeverinë e re?

Për të folur për këtë në një lidhje direkte nga Prishtina me edicionin qendror të lajmeve me gazetarin Ilir Paço foli analisti Imer Mushkolaj.

“Loja është e hapur për të gjithë. Thaçi ka komoditetin që të kërkojë në qeveri atë që konsideron partner të duhur. Me përjashtim  të Vetëvendosjes që ka bërë të ditur që nuk do të jetë pjesë e qeverisë së Thacit, tri partitë e tjera, LDK e Isa Mustafës, AAK e Ramush Haradinajt dhe Nisma e Fatmir Limajt janë të gatshme për koalicion, por që do të varet nga oferta që do bëjë Thaçi. Një pjesë e minoriteteve janë të gatshëm për t’u futur në qeveri”, thotë Mushkolaj.

Për analistin kosovar gjasat janë që njëri mes Mustafës dhe Haradinajt të mos mbajnë premtimet e tyre për pjesëmarrjen në qeveri. Ai e cilësoi votën e 8 qershorit dështim të opozitës për t’u unifikuar.

“Isa Mustafa ka thënë që nuk do të jetë në të njëjtin koalicion me Thaçin dhe Haradinaj që nuk pranon të jetë në qeveri nëse nuk është kryeministër. Këto premtime vështirë t’i mbajnë. Dështim i opozitës për të unifikuar votën opozitare. LDK, AAK dhe Nisma janë të gatshme për të hyrë në qeveri. VV është e vetmja parti që mbetet në opozitë në këtë kontekst”, shprehet Imer Mushkolaj.

Top Channel