Një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të cilat rikonfirmuan PDK-në si partinë e parë, e cila do të ketë mundësi kushtetuese për ta formuar qeverinë e re, lëvizja Vetëvendosje ka ndërmarrë një nismë opozitare duke i ftuar të gjitha partitë e tjera që të mos bëjnë koalicion me PDK-në.

“Ne jemi të interesuar dhe të gatshëm që ta pamundësojmë qeverinë e re të regjimit të vjetër. Për këtë qëllim do të nisim kontaktet me partitë e tjera opozitare që të mos i bashkohen Thaçit në ripërtëritjen e keqqeverisjes. Ashtu siç donim të rrëzohej qeveria, sot duam që ajo të mos ripërtërihet ajo”, ka deklaruar kryetari Albin Kurti.

Në anën tjetër, LDK e Isa Mustafës, që nuk arriti të dalë forca e parë në zgjedhjet e parakohshme, vazhdon të mos ketë një qëndrim as për një koalicion të mundshëm me PDK-në, por as për rezultatet e dobëta që mori të dielën.

“Nuk kemi biseduar për këtë, sot kemi bërë vetëm vlerësimin e zgjedhjeve. Ne si parti, krahasuar me PDK-në si parti e parë, kemi dalë mirë, por rezultatet janë të tilla, prandaj na mbetet që të presim çertifikimin dhe të reflektojmë mirë. Kemi punë shumë më të rëndësishme për të bërë. Do të punojmë e do të angazhohemi në mënyrë që të kryejmë detyrat tona”, ka thënë Mustafa.

Kryetari i LDK-së ka thirrur një mbledhje urgjente të Kryesisë së partisë së tij, por në të nuk kanë folur as për iniciativën e Vetëvendosjes për ta penguar PDK-në në krijimin e qeverisë, e as për mundësinë e dorëheqjes së Isa Mustafës.

Pas mbledhjes së kryesisë, Mustafa ka thënë se dorëheqja e tij nuk është plan i LDK-së. Ai ka theksuar se për rezultatet e zgjedhje flasin vetëm pas çertifikimit të rezulatetit final.

Ndërkohë, partitë e tjera më të vogla nuk janë prononcuar ende për rezultatet, por as nuk kanë mohuar mundësinë e bashkëqeverisjes me PDK-në.

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, që para disa muajsh u nda nga PDK, ka thënë në një konferencë për shtyp se janë të hapur për koalicion qeverisës, duke mos përjashtuar edhe PDK-në.

“Ne duhet të presim çertifikimin e rezultatit zgjedhor deri në fund. Të shohim si do të shkojë, pastaj çfarë koalicionesh do të ndërtohen, kush do të ofrojë koalicione dhe mbi bazën e saj ne do të japim përgjigjen tonë”, ka thënë Limaj.

Rezultatet finale po i pret edhe PDK, zyrtarë të së cilës kanë treguar me kusht anonimati për TCH se, nuk do të nguten për të bërë koalicion para se të mësojnë emrat e deputetëve që kanë arritur të fitojnë mandate për legjislaturën e re. Ndërkohë, nga AAK ende nuk ka një qëndrim të shprehur publikisht.

Top Channel