Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas marrëveshjes që kanë arritur partitë opozitare që synojnë krijimin e qeverisë së re.

Përmes një komunikate për media, PDK-ja vlerëson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton shumë qartë se mandati për formimin e qeverisë i takon fituesit të zgjedhjeve, në këtë rast Partisë Demokratike të Kosovës.

Sipas komunikatës së PDK-së, mandati për formimin e qeverisë buron nga vullneti i qytetarëve të Kosovës, të cilët, siç thuhet në komunikatë, i dhanë PDK-së besimin për të vazhduar udhëheqjen e qeverisë dhe për të zbatuar “Misionin e Ri” për Kosovën, në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit dhe krijimit të vendeve të reja të punës.

PDK-ja u ka bërë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga tendenca për të shkelur verdiktin demokratik të qytetarëve të Kosovës dhe i fton të gjithë qytetarët që të kenë besim të plotë në institucionet përgjegjëse dhe në proceset ligjore dhe kushtetuese.

Pakti që nxjerr Thaçin nga qeveria
Marrëveshja e opozitës: Haradinaj, kryeministër i Kosovës

Tri nga katër partitë opozitare në Kosovë kanë formuar një koalicion, duke ofruar qeverinë e tyre. I quajtur dhe si “Kthimi i shpresës” u prezantua në selinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pas takimeve që zhvilluan paradite kreu i AAK, Ramush Haradinaj, ai i LDK, Isa Mustafa, dhe ai i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Koalicioni “LDK-AAK-Nisma për Kosovën”, sipas marrëveshjes së paraqitur nga shefat e shtabeve zgjedhore të këtyre partive, do të nxjerrë një qeveri, që do të ketë për kryeministër liderin e AAK, Ramush Haradinajn. LDK merr kryesimin e Kuvendit dhe më pas Presidencën.

“Ne bashkarisht kemi vendosur që Ramush Haradinaj të jetë i nominuari ynë i përbashkët për kryeministër. Kryetari i Kuvendit i takon LDK-së, e po ashtu edhe presidenti, në harmoni me Kushtetutën”, tha Agim Veliu, shef i shtabit të LDK.

“Numrat që kemi prezantuar tregojnë se cili është koalicioni më i madh tani në vend, cila është fuqia politike e bashkuar më e madhe në vend. Edhe njëherë ju them se Kosova ka nevojë t’i rikthehet shpresa, ashtu si dhe qytetarët e Kosovës, ndaj kjo është ajo që po bëjmë LDK, ne dhe Nisma”, tha Ardian Gjini, shef i shtabit të AAK.

Në marrëveshjen, që është firmosur nga Isa Mustafa, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, thuhet se do të vazhdojnë konsultat me pjesën tjetër të opozitës dhe partitë e komuniteteve.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidentja e vendit, së pari mandaton partinë apo koalicionin, që ka fituar më shumë vota më 8 Qershor, për të formuar qeverinë. Pastaj, nëse partia e parë dështon t’i sigurojë 61 vota në Kuvend, sa janë të nevojshme, presidentja i jep mundësinë subjektit apo koalicionit të dytë.

Kurti, nismëtari i qeverisë pa Thaçin
Kushtet e VV: Pezullimi i bisedimeve me Serbinë dhe i privatizimeve

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nismëtari i lëvizjes për të bllokuar një qeveri të re me kryeministër Hashim Thaçin, mbështet marrëveshjen e arritur mes Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.

Por, Kurti, duke i qendruar besnik alternativës së VV, ka dy kritere për ta dhënë votën në Kuvend: Pezullimi i negociatave me Serbinë dhe ndërprerja e privatizimit të ndërmarrjeve publike, e që gjatë takimeve me liderët opozitarë, Kurti vlerësoi se do të marrë mbështetjen e duhur.

I pyetur nëse Vetëvendosje do të jetë në qeveri apo opozitë, Kurti tha se ajo do të jetë faza e tretë e bisedimeve, duke shtuar se nga Vetëvendosje diskutojnë për koncepte e jo për pozita.

“Ne nuk kemi marrë pjesë në ato negociata apo bisedime, s’kemi qenë pjesë e tyre. Ne kemi qenë pjesë e bisedimeve për ta pamundësuar qeverinë Thaçi 3 dhe kemi paraqitur edhe kriteret tona, shumë parimore, që janë esenciale si për Vetëvendosjen por edhe për gjithë Kosovën dhe shtetndërtimin e saj, sa i përket qeverisë së emergjencës, apo qeverisë që duhet të jetë për shpëtimin e shtetit të Kosovës. Kjo është një qeveri shpëtimi, pasi duhet ta shpëtojmë Kosovën për të mundësuar zhvillimin e saj pastaj. Ne nuk kemi marrë pjesë në ato vendime, dhe Vetëvendosje nuk bisedon për poste dhe për pozita, pa biseduar për koncept e për program”, tha lideri i VV, Albin Kurti.

Marrëveshja e nënshkruar nga LDK, AAK dhe Nisma, për distancim nga PDK dhe pajtimi për një kandidat të përbashkët për kryeministër, sipas Kurtit, është një hap shumë cilësor dhe mënyra e vetme për krijimin e demokracisë në Kosovë.

Marrëveshja pështjellon juristët

Edhe njohës të Kushtetutës në Kosovë dhe ekspertë të zgjedhjeve, vlerësojnë me qasje të ndryshme marrëveshjen e opozitës për të formuar qeverinë e re, pas konstituimit të Kuvendit të ri.

Eksperti i çështjeve juridiko-kushtetuese, Riza Smaka, ka thënë për Top Channel se marrëveshja mes LDK-së, AAK-së dhe Nismës nuk është antikushtetuese.

“Fatmirësisht, këtë çështje e rregullon Kushtetuta. Aty shkruhet qartë se Presidentja dërgon emrin, pas konsultimeve me partinë politike ose koalicionin, që ka fituar shumicën, e kjo shumicë nënkupton vende/mandate në Kuvend. Meqenëse shumicë absolute, që nënkupton 61 mandate, nuk i ka fituar askush, atëherë ai koalicion që i ka 61 vota mund ta bëjë qeverinë”, tha Riza Smaka, ekspert kushtetues.

Smaka ka thënë se, deri tani, ende askush nuk i ka siguruar 61 mandate, por – sipas tij – kjo mund të bëhet deri në konstituimin e Kuvendit.

Por, ndryshe nga Smaka, profesori Arsim Bajrami, që është njëri prej hartuesve të Kushtetutës së Kosovës, vlerëson se marrëveshja e bllokut opozitar për formimin e qeverisë është një veprim antikushtetues dhe mosnjohje elementare e sistemit kushtetues të Kosovës.

Ai ka thënë se Kushtetuta e Kosovës ia lejon partisë, që ka fituar më shumë vota apo mandate, të formojë qeverinë.

Në anën tjetër, edhe eksperti i zgjedhjeve Leon Malazogu ka thënë se marrëveshja e opozitës nuk është antikushtetuese dhe, sipas tij, nëse i arrin votat e nevojshme në Kuvend mund ta formojnë qeverinë e re.

“Vërehet një mobilizim i opozitës që, gjithsesi, të mos i lejojnë zotit Thaçi të formojë Qeverinë. Duket se ka një marrëveshje, së pari nga LDK, NISMA dhe AAK, ndërsa përkrahja e VV-së duket indirekte. Megjithëkëtë, VV nuk planifikon të futet në Qeveri, ndaj dhe opozita po llogarit edhe votat e Listës Serbe, që të ketë një shumicë në Kuvend”, tha Leon Malazogu, ekspert i zgjedhjeve.

Fjalën e fundit, gjithsesi, do ta thotë presidentja e vendit, së cilës i takon detyra për të thirrur të mandatarin.

Ai që i jep zgjidhje këtij ngërçi është kreu i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, në një interpretim të mëhershëm të ligjit themeltar, ai thotë se pjesa “ka fituar” i referohet koalicioneve që kanë hyrë me një listë të përbashkët në zgjedhje dhe i kanë fituar ato, dhe jo një koalicioni që mund të lindë pas zgjedhjeve.


Mund të ndodhë që në presidencë të paraqiten që të dy kandidatët, Hashim Thaçi si kreu i PDK-së dhe Ramush Haradinaj si kandidati i dalë nga marrëveshja e tri partive opozitare. Një përplasje e tillë ndoshta mund të përfundojë në dyert e Gjykatës Kushtetuese për të marrë interpretimin e saj, por për momentin ajo që duket e sigurtë është që Kosovës do t’i duhen javë, për të mos thënë muaj për të patur qeverinë e re të saj.

Top Channel