I ftuar në emision “Top Show”, Ramush Haradinaj, kandidati i propozuar për Kryeministër nga koalicioni i partive opozitare në Kosovë, me gjuhë të ashpër ka sulmuar qeverisjen e deritanishme të Hashim Thaçit, duke deklaruar se Kosova nuk mund të durojë dot më korrupsionin dhe situatën ku ndodhet aktualisht.

“Nuk do të tolerojmë një qeverisje të korruptuar. Ky është një vendim shumë serioz i partive që përbëjnë sot shumicën. Është mirë që të gjithë ta marrin këtë mesash, më se shumti PDK-ja dhe zoti Thaçi. Situatat do të jenë më të rënda për të, duke u ballafaquar me qeverisjen e deri tanishme të tij. Shoqëria kosovare ka nevojë për energji pozitive, por nëse ka negative nuk ka tolerancë”, ka thënë Haradinaj.  

Ramush Haradinaj, ka prezantuar dhe sloganin e ri, në rast se vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, duke i dhënë një mesazh të qartë kreut të PDK-së, Hashim Thaçit.

“Nëse vendi do të shkojë në zgjedhje, opozita ka vetëm një slogan, “Hajnitë në burg”. Ka pasur një propozim edhe në këto zgjedhje, por unë kam refuzuar. Nëse do të detyrohemi të shkojmë në këtë rrugë do të jemi të bashkuar si opozitë për këtë slogan”, shtoi Haradinaj.

Intervista e plotë

Alban Dudushi: Sonte në studio dhe para publikut, ju vini si fitues si fitues i këtyre zgjedhjeve apo vini si opozitar, ku për shkak të një marrëveshje keni ardhur në pragun e kryeministrit? 

Ramush Haradinaj:
Është gati e pamundur që nja parti të fitojë 51% të votave. Të gjithë ata që e kanë kaluar pragun zgjedhor, që është 5%, në një mënyrë janë fitues dikush më shumë e dikush më pak. Ata që përbëjnë shumicën në parlament paraqesin edhe fituesin, në këtë rast unë përfaqësoj grupimin më të madh politik.

Alban Dudushi: Kur flasim për zgjedhje kemi të bëjmë gjithmonë me një garë dhe gara ka të parë, të dytë e kështu me radhë. Nga këto zgjedhje PDK-ja ka dalë e para. Janë bërë disa komente, “zoti Thaçi ishte atleti që e fitojë garën, më pas atleti i dytë, i katërti dhe i pesti u bënë bashkë për t’ia fituar garën në tavolinë”.

Ramush Haradinaj:
Zoti Thaçi fitoi pjesën e parë të garës që ka të bëjë me zgjedhjet. Ai nuk mori besimin e mjaftueshëm për të udhëhequr në vend. Ndërsa ne të tjerët e bashkuam atë besim që na dhanë qytetarët në një opsion qeverisës. Edhe VV është shprehur kundër një qeverisje me PDK-në. Reagimi i zotit Thaçi dhe i kolegëve të tij ishte në panik sepse ata përballen në dy rrethana në të njëjtën kohë. E para, asnjë subjekt nuk pranon të bashkëqeverisje me ta dhe këtu lind pyetja se pse nuk pranojnë?. Pyetja e dytë është si ka mundësi që të gjithë bëhen bashkë për të dhënë një alternativë qeverisëse? Ata po reagojnë në panik.

Alban Dudushi: Pse u nxituat ta shpallni koalicionin pa u certifikuar ende rezultati i zgjedhjeve?

Ramush Haradinaj: Ky është vullnet politik dhe në këtë i bëjmë thirrje edhe qytetarëve të vendit të na përkrahin. Ne i kemi dhënë një lajm shumë të mirë Kosovës që është pritur shumë mirë, duke pasur festime pas “çlirimit të vendit nga partia në pushtet”.

Alban Dudushi: Nëse njerëzit e kishin këtë lloj konsensusi ndaj qeverisjes së Thaçit, përse nuk e bëtë koalicionin përpara se të futeshit në zgjedhje?

Ramush Haradinaj: Nuk ka qenë një opsion i diskutuar. Ne jemi kritikuar shpesh si opozitë se nuk bëhemi bashkë. Kjo marrëveshje është një rezultat i vullnetit të lirë të subjekteve politike dhe ka vërtetuar se ka një pjekuri të lartë politike, se e dimë se çfarë po bëjmë dhe jemi të vendosur, nuk ka kthim pas dhe është një projekt shumë serioz. Edhe paralajmërimi për të shkuar në zgjedhje të tjera është qesharake, por nuk është një lajm i mirë të PDK. Është mirë të lexojnë drejt mesazhin që i kemi dhënë qeverisë “Thaçi” se opozita nuk bënë kompromise dhe është e vendosur.

Alban Dudushi: Ngërçi më i madh është te interpretimi kushtetues që besoj se do të vazhdojë të bëhet edhe për disa ditë. Në rast se Presidentja do të thërrasë Thaçin, në bazë të asaj që thotë komentari, çfarë ndodh?

Ramush Haradinaj: Subjektet politike, në këtë rast LDK, Nisma dhe Aleanca, pas certifikimit të rezultatit e informojnë Presidenten për gatishmërinë për të ndërtuar qeverinë. Presidentja e merr në konsideratë këtë informatë dhe ajo mundet sipas një logjike të thjesht nëse aty është shumica e deputetëve të parlamentit të vendit.

Alban Dudushi: Kalojmë te VV. Roli i saj është shumë i diskutuar gjatë kësaj periudhe, madje mund të themi se VV duket pak e pavendosur. Dje u duk e tillë në kushtëzimet që vuri në lidhje me qeverinë e re. Kushtëzimi i parë ishte ‘jo nga Thaçi’, por pas kësaj ishte kushtëzimi në lidhje me bisedimet me Serbinë dhe më pas me privatizimet. Do t’i merrni para sysh këto kushte te VV, në mënyrë që të fitoni mbështetjen nga jashtë të saj në rast se ju e formoni qeverinë?

Ramush Haradinaj: VV ka pasur një rol shumë të rëndësishëm në bllokun opozitar, ka bërë thirrje kundër “Thaçi 3”. Ata i mbeten besnik këtij qëndrimi. Për t’i dhënë mbështetje qeverisë së re ata kanë vendosur edhe disa kushte.

Alban Dudushi: Votat e VV janë të rëndësishme, pasi edhe ju me këto numra që keni tani nuk  bëni dot qeverinë.

Ramush Haradinaj:
Votat e 3 partive të koalicionit janë të mjaftueshme plus vota e pakicës sa për të ndërtuar qeverinë. Vota e VV ka një peshë shumë të madhe dhe ne jemi të interesuar. Keni lënë të hapur edhe mundësinë për një bashkëpunim sa më konkret edhe me VV. Kjo që po bëjmë ne është një sfidë e madhe, për atë që na pret. Është një punë e madhe në vend. Ne kemi një shkallë të lartë të papunësisë, krimit të organizuar, korrupsionit. Duhet të kemi edhe mbështetjen e opozitës së ardhshme, të PDK-së.

Alban Dudushi: Një sërë çështjesh kërkojnë bashkëpunimin e opozitës. Në Tiranën e 2009-ës dhe të 2011-ës, në të dyja rastet ishte një fitore pa konsensus. Në të dyja rastet Rama dhe PS pati një periudhë tensionesh me PD-në në lidhje me ato fitore. Ju nuk e keni konsensusin e humbësit për qeverinë e re, si do ta fitoni atë për të bashkëpunuar?

Ramush Haradinaj: Kjo është një zgjidhje e Thaçit se si do të veprojë. Rasti i tyre është shumë i rëndë, ata kanë bërë shumë shkelje gjatë qeverisjes. Ne jemi renditur në vendet më të korruptuara në rajon. Nuk do të tolerojmë një qeverisje të korruptuar. Ky është një vendim shumë serioz i partive që përbëjnë sot shumicën. Është mirë që të gjithë ta marrin këtë mesash, më se shumti PDK-ja dhe zoti Thaçi. Situatat do të jenë më të rënda për të, duke u ballafaquar me qeverisjen e deri tanishme të tij. Shoqëria kosovare ka nevojë për energji pozitive, por nëse ka negative nuk ka tolerancë.

Alban Dudushi:Edhe në Shqipëri, por edhe në vende të tjera të Ballkanit kur flitet për korrupsion nuk besoj se ka mbetur ndonjë politikan që nuk është akuzuar.

Ramush Haradinaj: Nuk dëshiroj që në ditët e para të qeverisjes të kthehem pas, por nuk mund të bëjë tolerancë ndaj atyre që shpërfillin interesat e këtij vendi, nuk mund ta mbaj peng Kosovën.

Alban Dudushi: Më thatë pak më lart se edhe nëse do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme nuk do të jetë një lajm i mirë për PDK-në. Në këtë tension politik që është krijuar, a mendoni që zgjedhjet e parakohshme do të jenë po aq normale sa këto të fundit?

Ramush Haradinaj: Nëse vendi do të shkojë në zgjedhje, opozita ka vetëm një slogan, “Hajnitë në burg”. Ka pasur një propozim edhe në këto zgjedhje, por unë kam refuzuar. Nëse do të detyrohemi të shkojmë në këtë rrugë do të jemi të bashkuar si opozitë për këtë slogan.

Alban Dudushi: Por a e ka takatin Kosova edhe për një palë zgjedhje kur duhet një qeveri e qëndrueshme?


Ramush Haradinaj:
Në rast se është e detyruar të shkojë në këto zgjedhje do ta kalojë edhe këtë provë. Do të ketë një mobilizim të plotë të opozitës kundër atyre që e kanë sjellë vendin në këtë pikë.

Alban Dudushi: Cilat janë sinjalet me ndërkombëtarët gjatë këtyre orëve?

Ramush Haradinaj: Nuk kam pasur komunikim me të gjithë. Atyre i intereson dialogu. Ne jemi për komunikim me Serbinë, por në disa rrethana të reja, një dialog të një kualiteti tjetër ku ne dëshirojmë të vendosim saktë se kush janë temat dhe çfarë përfiton Kosova në këtë dialog.

Alban Dudushi: Por për shkak të këtij dialogu të deritanishëm Kosova ka shtrirë juridiksionin e saj edhe në veri të saj, e cila ka qenë problematike. Zgjedhjet e fundit e treguan këtë, pjesëmarrja e serbëve e tregoi këtë gjë.

Ramush Haradinaj: Ne krenohemi me aq kontribut sa kemi dhënë që kjo të ndodhë. Duhet të identifikojmë kush është axhenda e mbetur. Ne na kanë trajtuar më parë si dy vende që jemi në armiqësi dhe për të mos na lënë të qëllohemi me grushta, hajde t’i bëjmë me fol. Kjo etapë ka kaluar, ne kërkojmë të bëhemi anëtarë të BE-së, ne duam asocim-stabilizimin, ne duam liberalizimin e vizave. Unë jam për dialog, por duke e ngritur kualitetin e tij.

Alban Dudushi: Përpara zgjedhjeve të së dielës Thaçi ishte në një afrimitet goxha të madh me Kryeministrin e Shqipërisë, ndërkohë që ju jeni dukur më afër Berishës. Cilat janë marrëdhëniet tuaja me Kryeministrin aktual të Shqipërisë?

Ramush Haradinaj: Unë e kam respektuar PD dhe zotin Basha. Unë i respektoj institucionet e Shqipërisë, në këtë rast Kryeministrin Rama, kam raporte të mirë me Presidentin Nishani, me kryeparlametarin Meta. Ky është në interes të shqiptarëve. Unë do t’i ndihmojë shqiptarët pa marrë parasysh kush është në qeverisje atje.

Alban Dudushi: A keni ruajtur ndonjë kanal komunikimi gjatë kësaj periudhe me zotin Thaçi?

Ramush Haradinaj: Jo, unë jam bërë gati pas formimit të institucioneve të ardhshme t’i ofrojë atij një partneritet. Nga tani deri në zgjedhjen e institucioneve të vendit unë nuk do të komunikoj me të sepse nuk ka kthim pas. Ne jemi të detyruar të shkojmë në këtë rrugë si subjekte politike për t’i dhënë ideale vendit tonë nga gjenda që e ka sjellë qeverisja e Thaçit. E kam provuar të komunikojë me të.

Alban Dudushi: Cfarë ndodhi me ju “djemtë e luftë” që dikur ju bashkojë lufta dhe ju ndau politika?

Ramush Haradinaj: Përpara luftës unë nuk i njihja, na ka bashkuar një projekt nacional. I shpreh respektin të gjithëve atyre që kanë marrë pjesë në këtë projekt. Por në politikë nuk mund të qëndrosh bashkë me ata që nuk ndanë bindjet e njëjta.

Alban Dudushi: Tani jeni më afër zotit Mustafa.

Ramush Haradinaj:  Jo, nuk është se jemi edhe qa afër. Tani e shihni se si ka ardhur puna, ndihet nevoja e një bashkëpunimi më të madh dhe e ofrimit të vlerave më të mira që ne i kemi. Thaçi ka abuzuar gjatë qeverisjes dhe e ka bërë të pamundur bashkëpunimin.

Alban Dudushi: Gjatë këtyre ditëve dhe këtyre proceseve, çfarë keni uruar më shumë, të bëheni ju kryeministër apo të bëhet më mirë për Kosovën?

Ramush Haradinaj: Të bëhem kryeministër është diçka shumë e vogël në krahasim me rëndësinë që ka e ardhmja e vendit. Kosova duhet të fillojë një drejtim të ri me bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve, por jo vetëm. Kemi shumë probleme në Kosovë me të cilat duhet të përballemi.

Top Channel