Maradona: Brazili s’e meritoi fitoren

13/06/2014 00:00

Fitorja e diskutuar e Brazilit ndaj Kroacisë nuk mund të mos komentohej nga “armiku numër një” i kombëtares “seleçao”, Diego Armando Maradona.

“Brazili mund të kishte humbur takimin. Ata do të kishin vuajtur shumë nëse Kroacia do të tregohej më shumë agresive që në fillim të ndeshje, por ata u kënaqën me golin e shënuar dhe pikërisht këtu nisi rritja e lojës së Brazilit”, deklaroi për një televizion venezuelian “El Pippe D’oro”.

Në analizën e tij, Brazili është një skuadër që varet shumë nga Nejmar.

“3-1 reflekton rezultatin në tabelë, por jo atë që pamë në fushë. Brazili luajti mirë, megjithëse kishte probleme në krah dhe për më tepër ka një varësi ndaj Nejmarit, në mungesë të të cilit mund të mposhtet lehtë”, thotë kampioni i botës më Argjentinën.

Për të nga përballja Brazil-Kroaci Argjentina duhet të mbajë shënime për t’u përballur me Bosnjen.

“Bosnja do të luajë të njëjtin stil loje si Kroacia dhe ka një mesfushë akoma më cilësore se kroatët”, tha Maradona.

Argjentinë-Bosnje luhet ditën e dielë në stadiumin “Marakana”.

Top Channel