Gërmadhat e “luftës” në Kumanovë, banorët kthehen në shtëpitë e shkatërruara

11/05/2015 00:00

Kanë mjaftuar 16 orë luftime për të shkatërruar mundin e shumë banorëve të “Lagjes së Trimave”. Gjithçka që Azem Ibrahimi kishte ngritur gjatë jetës, u shkatërrua për një çast pa fajin e tij.

Megjithatë, brenga për pronën i është larguar për një moment kur e ka kuptuar se familjarët e tij janë të gjallë: “Ka qenë luftë e ashpër. Nuk di si ta përshkruaj. Është gjuajtur me armë të lehta dhe të rënda. Kur i dëgjova, mendova se familja nuk më ka mbetur gjallë, por kur e kuptova se ata janë gjallë, m’u largua e keqja”.

Korridori i shtëpisë së Azemit ka mbetur i mbushur me gjak. Aty thuhet se kanë qenë të pozicionuar pjesëtarët e policisë maqedonase, por nuk dihet numri i të vrarëve apo plagosurve brenda shtëpisë.

Femi Hajdari, banor i “Lagjes së Trimave”, shprehet: “Aty ku ka gjak, mund të ketë hyrë pala tjetër që ka qenë në konfrontim me këta dhe janë plagosur. Thonë që ka edhe të vrarë, por ne nuk e dimë sa janë”.

Pa e kuptuar akoma kurthin që u solli tmerri i përjetuar, banorët nxituan te vatrat e tyre, teksa ende ishte e pranishme era e barutit.

“Ka filluar ofensiva në mëngjes para orës 6 dhe banorët kanë qenë në gjumë. Kur janë zgjuar, kanë parë luftë, por kush e ka bërë këtë luftë? Kanë parë helikopterin duke gjuajtur. Si në Vukovar është bërë. Më parë shtëpia ka qenë si mbretëri, tani është bërë si në Siri”, thotë Jahi Ibrahimi.

Nga luftimet që u zhvilluan për 16 orë u shkatërruan 15 shtëpi, disa dyqane dhe shumë makina. Banorët që arritën të parët në lagjen tyre, i gjetën rrugët plot me gëzhoja plumbash dhe gjurmë të tjera që lanë shkatërruesit e saj.

Top Channel