Luftimet nuk armiqësojnë shqiptarët me maqedonasit, analistët: Organizatorët dështuan

11/05/2015 00:00

Përleshja e armatosur në Kumanovë nuk ka armiqësuar mes tyre banorët shqiptarë dhe ata maqedonas të këtij qyteti.

Kështu vlerëson analisti Ismail Sinani, i cili thotë se ngjarjet në “Lagjen e Trimave” nuk prodhuan efektet që kishin parashikuar ata që përgatitën skenarin e përleshjes.

“Kjo që ndodhi gjatë këtyre dy ditëve ka krijuar një skenar krejt ndryshe nga ajo që kanë parashikuar ‘spin-doktorët’ e atyre qarqeve, të cilët i kanë inskenuar këto incidente. Mendoj se shpikësit të kësaj situate të tensionuar kanë pritur që dita e hënë shqiptarët dhe maqedonasit t’i gjejë me pushkë në duar kundër njëri-tjetrit. Ky është skenari më ogurzi që ata kanë mundur të paramendojnë. Fatmirësisht, qytetarët nga të dy palët treguan një vetëdije të lartë dhe nuk ranë në kurthe”, thotë Sinani.

Banorët e Kumanovës akoma nuk e kanë të qartë pse ndodhi përleshja. Deklaratat kundër ndasive etnike që i bëri një shqiptar nga ky qytet janë mirëpritur nga shumë maqedonas nëpër rrjetet sociale.

Ai u shfaq në një video duke përqafuar një maqedonas dhe duke bërë thirrje për bashkëjetesë, ndërsa kundërshtoi skenarët që synojnë nxitjen e luftës mes shqiptarëve dhe maqedonase.

“Kur flasim për terrorizëm dhe nacionalizëm, dua të them se këto terma janë të imponuara nga të tjerët. Unë jetoj këtu prej 40 vitesh dhe 40 fjalë të këqija nuk i kam thënë për maqedonasit. Më vjen mirë që ai si maqedonas dhe unë si shqiptar i kuptuam manipulimet që na i bëjnë të tjerët, por një pjesë e popullit ende nuk arrin ta kuptojë këtë”, tha ai.

Megjithatë, krahas deklaratave për bashkëjetesë dhe thirrjeve për qetësi, të gjithë druajnë nga përsëritja e situatave konfliktuale që do të çonin vendin drejt një situate me pasoja të rënda për qytetarët.

 

Top Channel