Kryesia qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, është mbledhur këtë të hënë në selinë e partisë në Tetovë, për të diskutuar mbi ngjarjet në Kumanovë dhe situatën e sigurisë.

Përmes një njoftimi për shtyp BDI bën të ditur se, të gjitha strukturat e saj kanë ndjekur nga afër të gjitha zhvillimet në Kumanovë dhe kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me popullatën lokale.

Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se, ngjarjet në Kumanovë dhe Goshincë, por edhe incidente të tjera të sigurisë të verifikuara në muajt e fundit, nuk janë në vijë me orientimet e saj strategjike dhe nuk përbëjnë interes për kombin shqiptar në Maqedoni dhe rajon.

“Bashkimi Demokratik për Integrim u shpreh ngushëllime të sinqerta familjeve të të vrarëve në përleshjen e armatosur në Kumanovë dhe uron shërim sa më të shpejtë dhe të lehtë për të plagosurit. BDI garanton që institucionet e shtetit do të ndihmojnë banorët e ‘Lagjes së Trimave’ për dëmet materiale dhe se do të angazhohet për një proces transparent hetimor e gjyqësor për të përfshirët në përleshjet e 9 dhe 10 majit në qytetin e Kumanovës”, thuhet në njoftimin zyrtar të kësaj partie.

Partia e Ali Ahmetit fton të gjithë qytetarët, në tërë vendin, që të mos bien pre e dezinformimeve të ndryshme që nuk e ndihmojnë qetësimin e situatës.

“Opinioni publik do të jetë i informuar drejt dhe saktë me informata të konfirmuara për çdo situatë dhe për të gjitha zhvillimet në lidhje me situatën e sigurisë”, thuhet më tej në njoftim.

 

Top Channel