Mediet maqedonase publikojnë emrat e 28 të arrestuarve në Kumanovë

11/05/2015 00:00

Mediet maqedonase, duke iu referuar burimeve nga Ministria e Brendshme, raportojnë se janë arrestuar 4 nga 5 drejtuesit e supozuar të grupit të armatosur në Kumanovë.

Edhe pse policia, zyrtarisht nuk ka dhënë ende emrat e të arrestuarve, mediet kanë publikuar emrat e 28 nga 30 personat e arrestuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ndër të arrestuarit janë Muhamed Krasniqi, i njohur si “komandant Malisheva”; Beg Rizaj, “komandant Begu”; Sami Ukshini, “komandant Sokoli”; dhe Demë Shehu, i njohur si “Juniku”. Të katër këta janë nga Kosova.

I vetmi, për të cilin deri tani nuk ka të dhëna nëse është arrestuar apo jo, është Mirsad Ndrecaj, i njohur si “komandant NATO”.

Mes të arrestuarve janë edhe 10 shqiptarë të Maqedonisë, kryesisht nga Kumanova, por edhe nga Tetova, Haraçina e Breza. Po ashtu, të paktën 12 persona të tjerë të arrestuar, përveç liderëve të grupit, janë nga Kosova. Njëri është nga Shqipëria, ndërsa për një tjetër mësohet vetëm se ka pasur edhe nënshtetësi gjermane.

Menjëherë pasi Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoni publikoi emrat e disa qytetarëve të Kosovës, që janë arrestuar, por edhe të tjerë, që janë në arrati e që dyshohet se kanë marrë pjesë në luftimet e fundit në Kumanovë, institucionet e sigurisë në Kosovë kanë bërë skanimin e shtetasve kosovarë të publikuar nga Shkupi zyrtar.

Top Channel ka parë një raport me emrat e disa prej shtetasve kosovarë, që kanë qenë të përfshirë në luftimet në Kumanovë, si dhe të kaluarën e tyre penale në Kosovë. Në raportin e hartuar nga inteligjenca kosovare, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, shkruhet se personi Beg Riza, i lindur më 25 Dhjetor 1977, në fshatin Prekolluk të Deçanit, ka pasur precedentë kriminalë.

Sipas raportit, në cilësinë e të dyshuarit ai ka qenë i përfshirë në tri raste të ndara për posedim ilegal të armëve, pastaj është hetuar dhe akuzuar nga Prokuroria për pengmarrje dhe krim të organizuar. Për të gjitha këto raste, ai është trajtuar nga Prokuroria në Kosovë.

Mirsad Ndrecaj, sipas raportit konfidencial ka dy raste penale. Njëri për lëndim trupor, ku është dënuar me gjobë, si dhe tjetri për kanosje, ku është raportuar në Prokurori.

Sami Ukshini po ashtu ka qenë i akuzuar në Prokurori për vepren penale të “detyrimit” (haraç, ryshfet) dhe për lëndim trupor.  Edhe Demë Shehu ka qenë i akuzuar në Prokurori për posedim të armëve, kërcënim dhe rrëmbim personi.

Për shtetasit e tjerë kosovarë, të arrestuar nga autoritetet maqedonase, institucionet e sigurisë në Prishtinë nuk kanë informacione, nëse kanë pasur ndonjë precedent penal.

Të arrestuarit sipas medieve maqedonase:

Andi (Muhamed) Krasniqi, “Komandant Malisheva”, Kosovë
Begë Bajra (Riza), “Komandant Begu”, Kosovë
Sami Ukshini, “Komandant Sokoli
, Kosovë
Demë Shehu, “Komandant Juniku
, Kosovë
Kenan Iseni – Kumanovë, Maqedoni
Fadil Fejzullahu – Kumanovë, Maqedoni
Irfan Lutfiu – Kumanovë, Maqedoni
Arsim Bajrami – Kumanovë, Maqedoni (i supozuar si polici nga Vaksinca)
Lirim Demiri – Kumanovë, Maqedoni
Nasuf Beqiri – Haraçinë, Maqedoni
Nexhmedin Lika – Tetovë, Maqedoni
Sevdail Miftari – Kumanovë, Maqedoni
Fejzullah Rushitovski – Brezë, Maqedoni
Besnik Ajdini – Kumanovë, Maqedoni
Fadil Elshani – Kosovë
Esat Kafexholi – Kosovë
Ardjan Bujari – Kosovë
Shefqet Avaqi – Kosovë
Ajrush Avdia – Kosovë
Betim Kartashi – Kosovë
Lendrit Rustemi – Kosovë
Rufki Dogani – Kosovë
Valdet Zekaj – Kosovë
Bajram Elshani – Kosovë
Lirim Krasniqi – Kosovë
Fatmir Reçica – Kosovë
Genci Sefa – Shqipëri
Enver Klain (me nënshtetësi gjermane)

Top Channel