Prishtina: Ende asnjë informacion nga Shkupi për ngjarjet e Kumanovës

12/05/2015 00:00

Autoritetet zyrtare në Maqedoni ende nuk i kanë dhënë asnjë informacion zyrtar autoriteteve kosovare rreth përfshirjes së qytetarëve të Kosovës në ngjarjet e fundjavës në Kumanovë.

Institucionet e Kosovës kanë marrë të gjitha masat e sigurisë dhe janë në pritje të informacioneve zyrtare nga Shkupi për të ndërmarrë veprimet konkrete.

Në kabinetin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, kanë bërë të ditur se janë në kontakt të vazhdueshëm me ambasadorin e Maqedonisë të akredituar në Prishtinë, i cili aktualisht ndodhet në Shkup dhe pritet që të sjellë së shpejti në Prishtinë informacionet zyrtare për zhvillimet e fundit në Maqedoni.

Ndërkohë edhe Policia e Kosovës është në gjendje gatishmërie dhe ka shtuar masat e sigurisë. Deri më tani nuk ka ndonjë informatë zyrtare për shtetas që duhet të arrestohen për shkak të pjesëmarrjes në ngjarjet e Kumanovës.

“Po qarkullojnë informacione nga më të ndryshmet se bëhet fjalë për disa qytetarë të Kosovës, që janë të përfshirë në atë ngjarje. Ne si Polici e Kosovës, në bazë të gjitha informacioneve zyrtare, të gjitha veprimet që do t’i ndërmarrim, i ndërmarrim varësisht prej institucioneve tona se çfarë vlerësime bëjnë dhe çfarë kemi informacione zyrtare”- deklaroi Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Kelani tha se Policia e Kosovës, bashkë me Policinë e Maqedonisë kanë pasur dhe e kanë nën vëzhgim vijën kufitare, ku sipas tij nuk ka pasur asnjë problem.

“Policia e Kosovës në asnjë rast të vetëm nuk ka hasur në asnjë grup apo individ të armatosur, apo grupe kriminale që e kanë shfrytëzuar brezin kufitar nga Kosova drejt Maqedonisë. Ne, në baza pothuajse ditore apo orare të caktuara të veçanta, kemi bërë patrullime me autoritetet kufitare të Maqedonisë, me qëllim që të parandalojmë, qoftë shfrytëzimin e zonës neutrale, apo shfrytëzimin e brezit kufitar në pjesën e Kosovës, por njëkohësisht edhe pjesën e Maqedonisë”- sqaron Kelani.

Zëdhënësi i Policisë kosovare tha se të gjitha institucionet relevante të sigurisë në Kosovë janë në koordinim dhe në bazë të vlerësimeve nuk pritet që të ketë ndonjë përshkallëzim të mundshëm të situatës së sigurisë në territorin e Kosovës.

Top Channel