Maqedoni, Ministria e Brendshme publikon një video të dytë të arrestimeve

12/05/2015 00:00

Katër ditë pas sulmit të ndodhur në Kumanovë, Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka publikuar një video të dytë të momentit të arrestimit të grupit të supozuar që ka qëlluar mbi forcat e policisë.

Në këtë video, ndryshe nga ajo e publikuar një ditë më parë, kur arrestimet ishin kryer gjatë orëve të natës, prangosja e mbi 10 personave është bërë gjatë orëve të ditës.

Sipas mediave shqiptare në Maqedoni, në këtë video identifikohet Sami Ukshini, i njohur me nofkën “Komandant Sokoli”, i dyshuari si një nga drejtuesit e këtij grupi. Sami Ukshini shfaqet i plagosur në kokë dhe i veshur me një uniformë ushtarake, ku dallohet emblema e UÇK-së.

Por, pavarësisht publikimit të videove të arrestimeve, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ende nuk ka publikuar asnjë listë zyrtare të personave të arrestuar gjatë aksionit që ajo ndërmori në Komanovë dhe emrat e personave që thuhet se janë arrestuar janë publikuar nga mediat.

Po ashtu, vijon që të mos ketë ende një informacion zyrtar për 22 personat që humbën jetën nga kjo përplasje me armë: 8 policë dhe 14 civilë.
 

Top Channel