Protestat antiqeveritare janë rikthyer në Shkup. Qindra qytetarë përsëri kanë dalë në rrugë për të kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili sipas tyre nuk ka më legjitimitet për ta drejtuar vendin.

Protestuesit u grumbulluan në afërsi të godinës së qeverisë dhe më pas vazhduan të qetë drejt Parlamentit.

“Me këtë fotografi që mbajë dua t’i dërgoj porosi Kryeministri Gruevski dhe gjithë qeverisë së tij që të largohen nga pushteti. Ata janë përfshirë në shumë aktivitete jo legale në gjatë qeverisjes së tyre prandaj duhet të ikin dhe të japin përgjegjësi për të gjitha punët e paligjshme”, tha një qytetare.

“Kërkojmë të formohet një qeveri kalimtare që do të angazhohet për pastrimin e institucioneve. Qytetarët nuk do të ndalen duke kërkuar dorëheqjen e kësaj qeverie. Ne më nuk ndjejmë frikë nga ju, por vetëm revoltë nga pushteti autoritar dhe skenarët e errët të tij”, u shpreh një tjetër qytetar.  

Protestat e përditshme antiqeveritare që organizoheshin përmes rrjeteve sociale nga aktivistë të shoqërisë civile, pushuan për disa për shkak të situatës së krijuar pas ngjarjeve në Kumanovë.

Ndërkohë, kreu i LSDM-së Zoran Zaev, ka bërë të ditur se opozita më 17 maj do të organizojë një protestë masive për të kërkuar largimin e kryeministrit Gruevski.

Disa media maqedonase kanë raportuar se partia e Gruevski po mobilizon anëtarësinë e saj për të penguar organizimin e kësaj proteste.

Top Channel