Dorëheqjet e 3 ministrave të kabinetetit qeveritar në Maqedoni një natë më parë, duket se kanë qenë lëvizja e kryeministrit Gruevski për t’i hapur rrugën një qeverie me bazë të gjerë, pjesë e së cilës pritej të ishte dhe Zoran Zaev.

Kjo lëvizje, e cila mësohet se është bërë me ndërmjetësimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë në Shkup, kishte si qëllim që tre vendet e mbetura bosh në qeveri të plotësoheshin nga anëtarë të partisë opozitare LSDM. Por ky skenar është hedhur poshtë nga Zaev.

Sipas mediave maqedonase, diplomatët e huaj ia kanë përcjellë këtë ide liderit opozitar, por ai ka këmbëngulur në kërkesën që më parë duhet të japë dorëheqjen kryeministri Gruevski e me pas të formohet qeveri teknike, ose kalimtare që do ta çojë Maqedoninë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ndërkohë, të enjten është njoftuar një takim i krerëve të 4 partive politike kryesore në vend, maqedonase dhe shqiptare, Nikolla Gruevskit, Zoran Zaevit, Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit.

Takimi synon zgjidhjen e krizës politike në vend, por kreu i BDI-së ka refuzuar që të jetë në një tryezë që do të thirret nga presidenti Gjeorgje Ivanov.

Top Channel