Kumanova, çdo gjë e paqartë dhe sekrete; përpos viktimave dhe shtëpive të djegura

14/05/2015 00:00

Nga Kim Mehmeti – Në luftën njënatëshe, që ndodhi në “lagjen e trimave” në Kumanovë, u vranë 22 vetë, u plagosën 39 të tjerë, u dëmtuan e u shkatërruan tërësisht 66 shtëpi dhe qindra familje pësuan dëme materiale. Kjo luftë njënatëshe do të mbetet përjetë e vulosur në kujtesën e atyre, që e përjetuan trishtimin e saj.

Tani, pasi mori fund e gjitha dhe teksa ka filluar pastrimi i plagëve dhe i vatrave të djegura familjare, ka nisur edhe rrjedha e një lumi hamendësimesh, se cilët ishin ata që e sollën dhe që e drejtuan atë ngjarje trishtuese, për të cilën më të painformuarit ishin banorët e lagjes, që ishte paracaktuar të ishte ambient i atij tmerri.

Të gjithë thonë se, nuk dihet kush i kishte ftuar dhe si ishin futur në atë lagje shumë nga të vrarët dhe të arrestuarit, edhe pse dihet se shumica prej tyre kishin plot miq atje, mes të cilëve edhe udhëheqës partiakë maqedonas. Thuhet gjithashtu se, nuk dihet mos vallë asaj nate ndodhi një tradhti e madhe, apo vetëm u realizua fundi i një loje të mirëkurdisur nga strukturat policore të Maqedonisë.

Dhe, kur nuk dihet e vërteta, shtohet numri i atyre që “i dinë të gjitha”. Kështu që, mediat tashmë vlojnë nga dëshmitë e atyre, që dinë se kush ka biseduar me këdo viktimë, para se ai të vritej apo që dinë se, shumë nga të rinjtë shqiptarë që iu kundërvunë policisë nuk janë vrarë gjatë përballjes së armatosur, por pasi janë dorëzuar e arrestuar.

Lidhur me ndodhitë gjatë natës tragjike të së dielës në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, thuajse asgjë nuk dihet. Përpos numri i të vrarëve, i të plagosurve, i të arrestuarve, i shtëpive të rrënuara dhe i të zotërve të shtëpisë të mbetur pa çati mbi kokë. Pra, lidhur me këtë ngjarje, shumëçka do të mbetet e trishtueshme dhe sekrete, njësoj siç do mbetet e pamatshme edhe dhembja e trishtimi, që përjetuan banorët e kësaj lagjeje.

Megjithatë ka një të vërtetë, e cila dihet që tani: dikush ua kurdisi lojën, edhe shqiptarëve të rinj të ardhur nga Kosova, edhe këtyre të Maqedonisë. Siç dihet edhe e vërteta, se shqiptarët e Maqedonisë e kanë paguar me vrasje e me burgosje çdo zhytje në baltën e krimit të pushtetarëve maqedonas dhe çdo krizë të brendshme të Maqedonisë!

Top Channel