Përpjekjet e presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov që përmes një letre dërguar liderëve botërorë, po përpiqet të fajësojë Kosovën për mosreagim ndaj përleshjes së armatosur në Kumanovë, kanë ngjallur reagime në Prishtinë.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, përmes zëdhënësit të saj Arbër Vllahiu ka kërkuar të shtunën hetim të besueshëm dhe transparent të ngjarjes tragjike që ka ndodhur në Kumanovë një javë më parë.

Vllahiu ka thënë se presidentja Jahjaga në vazhdimësi të zhvillimeve në Maqedoni ka mbajtur komunikim të rregullt me bartësit tjerë të institucioneve relevante në Kosovë, dhe ka reaguar ndaj këtyre zhvillimeve, duke kërkuar nga palët të përmbahen nga dhuna.

Ai tha se institucionet kosovare kanë shprehur gatishmërinë për ofrim të ndihmës në zbardhje të plotë të zhvillimeve në qytetin e Kumanovës.

Vllaiu tha se Jahjaga ka kërkuar zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit me të cilën shqiptarët e Maqedonisë trajtohen të barabartë me komunitet tjera në këtë shtet.

Për ngjarjet e para një jave në Kumanovë, ka reaguar edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Kosovë. Kjo organizatë ka bërë përgjegjëse forcat e sigurisë maqedone të cilat, sipas organizatës, kanë vrarë civilë shqiptarë dhe nuk kanë mbrojtur qytetarët.

Organizatat e Veteranëve të UÇK-së ka kërkuar nga Ministria e Brendshme e Kosovës të publikojë të gjitha informatat relevante të cilat i disponon, ndërsa nga Ministria e Jashtme ka kërkuar që të bëjë trysni mbi Qeverinë e Maqedonisë për trajtimin e të zënëve rob në përputhje me konventat ndërkombëtare.

Kjo organizatë e veteranëve i ka kërkuar sqarime Qeverisë kosovare për mbështetje që i ka dhënë qeverisë së Maqedonisë, ndërsa ka porositur Kuvendin e Kosovës të thërras mbledhje urgjente për të diskutuar për ngjarjet e fundit në Maqedoni.

Organizata e veteranëve po ashtu ka kërkuar që autopsia e kufomave të kosovarëve në Maqedoni të bëhet edhe në Kosovë, pasi nuk dihet se a janë vrarë të gjithë në luftime apo nga torturat  në burg.

Top Channel