Pranvera e Maqedonisë, mijëra njerëz në shesh kundër Gruevskit

17/05/2015 00:00

Mijëra qytetarë nga gjithë Maqedonia kanë kërkuar të dielën në Shkup dorëheqjen e Kryeministrit Gruevski.

“Lamtumirë Nikolla’ ishte thirrja që dominoi në protestë, ku sipas opozitës ishin të pranishëm rreth 100 mijë qytetarë.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në fjalën e tij tha se zgjidhja e vetme për krizën është dorëheqja e kryeministrit. Ai ftoi bashkësinë ndërkombëtare të ndihmojë që Gruevskit të largohet nga pushteti pa krijuar incidente.

“Paralajmëroj se refuzimi i vullnetit të popullit nga ana e Nikolla Gruevskit mund të kenë pasoja të cilat askush nuk i dëshiron”, tha Zaev.

Kreu socialdemokrat para të pranishmeve në tubim publikoi disa nga pika e programit të tij ndërsa tha se Maqedonia në të ardhmen do të jetë vend ku të gjithë qytetarët do të jetojnë të barabartë, pa dallim etnie.

“24 vite Maqedoni është një shtet me dy shoqëri, këtë nuk mund ta lejojmë më tepër. Maqedonia do të jetë një shtet, një shoqëri ku do të jetojnë qytetarë me të drejta të barabarta që do të jenë krenarë me atdheun e tyre”, u shpreh lideri i opozitës maqedonase.

Demonstruesit kishin bllokuar të gjitha bulevardet kryesorë rreth selisë së qeverisë, për t’i dëshmuar Gruevskit se nuk gëzon më legjitimitetin e popullit.

“Dua të kthehet demokracia dhe liria, të ketë barabarësi mes qytetarëve, të ketë të drejtën e punësimit çdo qytetarë dhe jo vetëm ata me libreza partiake”, shprehet një protestues.

“Protestoj për fitore, të kemi liri dhe të jetojmë bashkërisht, shqiptarë e maqedonas”, thotë një tjetër protestuese.

Krahas maqedonasve në këtë protestë morën pjesë edhe qytetarë të bashkësive të tjera etnike. Përveç flamujve shqiptarë dhe protestuesve me plisa të bardhë në kokë, në mitingun e opozitës nuk mungoi as harta e “Shqipërisë Etnike”.

“Unë vij nga Kumanova dhe protestoj kundër terrorit që ndodhi para një jave në Kumanovë. Kërkojmë që Nikolla Gruevski dhe stafi i tij të japin dorëheqje”, tha një protestues.

“Edhe pse urrej Gruevskin dhe Zaevin në këtë protestë jam të shprehur revoltën kundër asaj që dëgjuam nga skandali i përgjimeve, ku Jankollovska dhe të tjerët na ofendojnë rëndë neve shqiptarëve”.

Në protestën e opozitës morën pjesë edhe kreu i socialistëve evropian Sergej Shtanishev, përfaqësuesi i Parlamentit Evropian, Knut Fleckenstein, Ricard Hovit dhe ambasadorët e vendeve perëndimore në Shkup.

Protesta e sotme sipas opozitës shënon fundin e regjimit të Gruevskit, megjithatë bëhet e ditur se rreth 5000 protestues kanë vendosur të vazhdojnë qëndrimin e tyre para qeverisë deri në largimin definitiv të kësaj qeverie.

Protesta e opozitës u organizua pas publikimit të skandalit të përgjimeve, që sipas opozitës maqedonase zbulon skandalet korruptive dhe kriminale të zyrtarëve më të lartë të qeverisë.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel