Veliaj: Mbështetje dhe respekte veteranëve

09/06/2015 00:00

Erion Veliaj, në një takim të zhvilluar me veteranët e kryeqytetit, ka marrë mbështetjen e këtyre të fundit në garën e tij për kreun e Bashkisë së Tiranës.

“Me Erionin në Bashkinë e Tiranës do të realizohen të gjitha dëshirat dhe aspiratat e veteranëve dhe familjarëve të dëshmorëve”, tha një prej tyre.

Nga ana e tij, Veliaj shprehu angazhimin maksimal për të krijuar hapësira të veçanta për këtë grup të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare.

“Jam shumë i përkushtuar të gjej hapësira publike për t’i rikthyer ato në çdo lagje. Disa mund të jenë qendra polivalente, disa mund të jenë shtëpi për veteranët ku ne shërbejmë me kosto minimale shtypin dhe kafen e mëngjesit, disa mund të jenë hapësira çlodhëse. Për të gjitha këto do të jem shumë i kujdesshëm që në 24 njësitë të kemi partneritet me veteranët”, deklaroi Veliaj.

Po ashtu, kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës e vuri theksin tek rëndësia e ruajtjes dhe rikonstruksionit të monumenteve historike.

“Ne nuk mund të shkojmë në një 28-29 Nëntor të ardhshëm me ato varreza dëshmorësh që janë sot. Është e pafalshme që të lejojmë vandalizimin e asaj që është memoria dhe historia jonë. Ndaj do të doja një bashkëpunim, për të mundësuar restaurimin e tyre”, tha Veliaj.

Në fund, duke përmendur një nga projektet e bashkisë, atë të adimistratorëve të liçencuar të pallateve, Veliaj u shpreh se ish-ushtarakët mund të jenë kategoria më e përshtatshme për këtë detyrë.

Top Channel