Kosova nderon Isa Boletinin, homazhe e seancë solemne në Kuvend

09/06/2015 00:00

Një ditë para ceremonisë së rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit, Kuvendi i Kosovës nderoi heroin kombëtar me një seancë solemne, ku të pranishëm ishin familjarë të Boletinit dhe të ftuar të tjerë.

Në këtë seancë u luajt himni shtetëror dhe ai kombëtar, ndërkohë që në të mungonin deputetët e Listës Serbe. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se ndjehej krenar që institucionet shtetërore kanë mundësi të nderojnë veprën e heroit Isa Boletini.

Edhe përfaqësuesit e partive politike parlamentare vlerësuan lart veprën e Isa Boletinit për mbrojtjen e trojeve shqiptare.

Kortezhi me eshtrat e heroit kombëtar, që ka nisur rrugën nga Vlora për të vazhduar në Prizren e Deçan, të martën paradite ka qëndruar tek kulla e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, në Prekaz, ku qytetarët kanë bërë homazhe.

“Ndjehemi krenarë dhe të kënaqur që Isa Boletini po i viziton të gjithë ata bij dhe bija që ranë dhe derdhën gjakun për këtë liri që po e gëzojmë ne sot. Lavdi Isa Boletinit dhe gjithë atyre bijve dhe bijave që ranë për këtë ditë që e gëzojmë. T’i kujtojmë me nder dhe respekt këta heronj”, tha Rifat Jashari, përfaqësues i familjes së Adem Jasharit.

Pas Skënderajt, eshtrat e Isa Boletinit u zhvendosën  në Prishtinë, ku homazhet iu bënë në hollin e Kuvendit të Kosovës.

Top Channel