Rivarrimi i Isa Boletinit; Mitrovica, e gatshme të presë eshtrat e heroit kombëtar

09/06/2015 00:00

Mbrëmjen e së martës kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për rivarrimin e heroit kombëtar, Isa Boletini.

Pasi iu bënë nderimet e fundit nëpër Kosovë, arkivoli me eshtrat e Isa Boletinit, nën përcjelljen e Gardës së Nderit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, është nisur nga Prishtina për në qytetin e Mitrovicës, ku edhe do të zhvillohet ceremonia qendrore ditën e mërkurë.

Zyrtari për informim i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha për Top Channel se, në aspektin policor, gjithçka është gati për mbarëvajtjen e ceremonisë së rivarrimit, duke mos bërë të ditur shifrën e forcave policore të angazhuara për këtë manifestim.

Sipas axhendës së Qeverisë së Kosovës, manifestimi qendror do të fillojë në orën 12:00, në stadiumin e qytetit të Mitrovicës “Adem Jashari”, ku do të mbajnë fjalime me këtë rast Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani; kryeparlamentari Kadri Veseli; kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa; përfaqësues të shqiptarëve nga Maqedonia e Lugina e Preshevës; përfaqësues të Institutit të Historisë e të familjes Boletini.

Pjesa e dytë e ceremonisë është artistike, me interpretime nga Kori i Filarmonisë së Kosovës, Ansambli Kombëtar i Valleve “Shota” dhe një recitim, kushtuar heroit Isa Boletini, nga aktori Bislim Muçaj.

Nga ora 14:30, arkivoli do të niset për në varrezat e Boletinit, nën shoqërimin e pasardhësve dhe të ftuarve, e në orën 15:00 pritet që, pas pothuajse një shekulli, më në fund të rivarroset në vendlindjen e tij, në veri të qytetit, heroi kombëtar Isa Boletini.

Këshillit Organizativ ka njoftuar më herët se, Garda ceremoniale e FSK-së do të shoqërojë aktivitetet deri në stadiumin e qytetit të Mitrovicës, ndërsa nga aty e deri në Boletin, që ndodhet në veri të qytetit, eshtrat e heroit do të shoqërohen nga Policia e Kosovës dhe KFOR-i.

Rivarrimi vjen pas një procesi të gjatë të identifikimit të eshtrave, disa datash të anuluara dhe një tentative për ta varrosur në Vlorë, pranë Ismail Qemalit.

Top Channel