Veliaj me Dhomën e Tregtisë: Partneritet të ri publik-privat

11/06/2015 00:00

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës ftoi në një debat publik kandidatët për kryetar bashkie të kryeqytetit. Por vetëm Erion Veliaj ishte përballë anëtarëve të kesaj dhome. Ai u shpreh se një nga prioritetet e tij është krijimi i partneriteteve publik-privat.

“Duam shumë që t’i japim një prioritet partneritetit publik-privat. Në disa skema që tashmë kemi menduar, duam të kryejmë tre terminale të hyrjes në Tiranë, të transportit publik. Është e paarsyeshme që bashkia të ketë monopol dhe të investojë gjithçka vetë. Këto mund të bëhen në partneritet me biznesin. Duam që të kemi një partneritet publik-privat kur vjen puna tek biznesi dhe tek të gjitha pikat e grumbullimit, me të cilat kemi një problem të jashtëzakonshëm. Ne duam që në 100 ditët e para të kemi Këshillin Ekonomik të Tiranës. Është një platformë këshillimore para se vendimet të kalojnë në Këshillin Bashkiak. Ne kemi parë edhe një tjetër situatë të shëmtuar. Që kur kryetari i bashkisë u bë dhe kryetar i partisë nuk ka skaur në asnjë mbledhje të Këshillit Bashkiak. Nuk kam ndërmend të mungoj në asnjë mbledhje”, tha Veliaj.

Duke iu përgjigjur interesit të sipërmarrësve për taksat, Veliaj shpjegoi:

“Apeli që marrim në mënyrë të vazhdueshme nga biznesi është që të kemi një trajtim të barabartë. Unë sigurisht që pajtohem me ju që duhet të keni trajtim të barbartë, por duhet të jetë progresiv. Kjo do të thotë se vlera e një prone në periferi nuk mund të ketë një taksë fikse si vlera e një prone në qendër të Tiranës, apo në Bllok. Ndaj, në këtë sens do të duhet të ketë një sistem progresiv të mënyrës se si taksojmë në kryeqytet dhe jo si një kapele që u bën të gjithëve”, tha Veliaj.

E në fund, kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës bëri të qartë edhe diçka. “Unë nuk kam asnjë ambicje partiake në këtë mandat. Jam i fokusuar totalisht për t’u marrë me punët e Bashkisë së Tiranës”, theksoi ai.

Top Channel