Veliaj, me banorët e Dajtit: 7 ditë nga drejtimi i duhur

14/06/2015 00:00

Dajti ka qenë ndalesa e radhës e mitingjeve përmbyllëse të kandidatit të mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj.

Duke kujtuar se mbeten edhe vetëm 7 ditë nga çuarja e kryeqytetit në drejtimin e duhur, Veliaj, ka bërë edhe njëherë thirrje që të gjithë qytetarët të dalin në votime më 21 Qershor.

“Kemi pritur katër vjet për këtë ditë, kemi pritur katër vjet që të kishim mundësinë dhe të fitojmë bindshëm Tiranën. Pritja ka mbarurar! Po vjen ora e fitores! Në ditët që kanë mbetur, në 7 ditët që kanë mbetur, kam nevojë që të trokisni në çdo derë, kam nevojë që të shtrëngoni çdo dorë, kam nevojë që të përqafoni çdo njeri, kam nevojë që të ftoni të gjithë Dajtin të dalim për votime që të fitojmë që të punojmë”, tha Veliaj.

Për të treguar rëndësinë e çdo vote dhe çdo mbështetësi, Veliaj e mbylli fjalën e tij duke sjellë si shembull fitoren e Kombëtares Shqiptare ndaj Francës.

“Shqipëria vërtet fitoi 1-0, Kaçe, vërtet bëri një gol spektakolar, por ishte i gjithë ekipi ai që bëri diferencën. Ne jemi si Kombëtarja, vërtet një kandidon, por i gjithë ekipi kontribuon për fitore”, u shpreh kandidati i ASHE-së.

Top Channel