Veliaj, në Farkë: Fushata jonë, me plane dhe zgjidhje konkrete

14/06/2015 00:00

Pasditen e së dielës, kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, mbylli fushatën në zonën e Farkës, nga ku u shpreh se njerëzit duan zgjidhje konkrete për problemet e tyre.

“Qytetarët nuk duan të dëgjojnë më sharje mes politikanëve, por kërkojnë zgjidhje konkrete të problemeve të tyre. Ne zgjodhëm të mos bëjmë një fushatë duke u marrë me familjet e të tjerëve. Zgjodhëm të bëjmë një fushatë të shkëlqyer, me program për çdo lagje të Bashkisë së re të Tiranës. Kemi 7 ditë kohë për të inkurajuar çdo votues që me një votë të bëjmë diferencën, të bëjmë ndryshimin. Një votë bën diferencën mes një qyteti të pisët dhe një të pastër”, tha Veliaj.

Ai premtoj trajtim të barabartë të banorëve të Bashkisë së re të Tiranës, pavarësisht zonës ku ata banojnë apo komunitetit nga vijnë.

“Kemi një lajm të shkëlqyer. Nga java tjetër Krraba, Bërzhita, Petrela janë lagje të reja të Tiranës dhe nuk do të ketë dy standarde. Bashkia jonë i trajton të gjithë njerëzit në mënyrë të barabartë. Do t’i respektoj të gjithë njerëzit njëlloj”, tha kandidati i mazhorancës.

Top Channel