I nxehti i “merr frymën” Italisë, temperaturat mbi 40 gradë

06/07/2015 00:00

Deri të mërkurën, në Itali termometri do të shënojë mbi 40 gradë Celsius, ndërsa e gjithë Europa ka hyrë ngadalë në darën e një të nxehti përvëlues.

E diela solli që në orët e para të ditës temperatura mbi mesataren në fqinjin tonë të përtej Adriatikut. Më e larta, 37 gradë, u shënua në Alesandria, Firence dhe Terni.

Në mjaft qytete të tjera, mes të cilave edhe Bolonja e Milano, u regjistruan 36 gradë Celsius, por temperatura reale që ndjehej (real feel) ishte edhe më e lartë.

Autoritetet vendase kanë nisur marrjen e masave kundër vapës dhe në vazhdën e tyre, turistëve e kalimtarëve në kryeqytetin Romë iu shpërndanë 20 mijë shishe uji.

Mbi 35 persona janë shtruar në spital në Xhenova, pjesa dërrmuese e të cilëve të moshuar. Ndërkohë, dy persona të moshave 60 dhe 76 vjeç vdiqën në Bergamo për shkak të problemeve nga i nxehti që i ka goditur në rrugë.

Ndërkohë, 40.3 gradë Celsius tregoi termometri në qytezën bavareze Kitzigen, temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në atë vend, sipas “Stuttgater Nachrichten”.

Spanja dhe Portugalia po bëjnë llogaritë me zjarret. Mbi 1350 vetë u evakuuan në Aragone të Spanjës, ndërsa disa vatra zjarri janë lokalizuar në pyjet e Alkobertas, në veri të Lisbonës.

Meteorologët parashikojnë që vala e të nxehtit me temperatura mbi 40 gradë të zgjasë të paktën edhe për një javë tjetër në gadishullin iberik.

Top Channel