Flet Age Koçeku, gruaja që dorëzoi Mjacajn: Ja çfarë më kërkoi Sokoli

06/07/2015 00:00

Age Koçeku, gruaja e cila i dorëzoi policisë Sokol Mjacajn, autorin e vrasjes së dy turistëve çekë, rrëfen se personi që ishte në kërkim i kishte hyrë në banesë dhe kishte pasur dy kërkesa.

Mjacaj i kishte kërkuar gruas ujë të ftohtë për të pirë si dhe një telefon për të telefonuar policinë, sepse dëshironte të dorëzohej. I kërkuari arriti të fliste me sallen operative në numrin 129 duke i treguar edhe vendndodhjen.

“Sokol Mjacaj më hyri në banesë, më ngjau si fëmijë pasi ishte shumë i vogël dhe i qetë. Sapo e pashë në fytyrë e pyeta nëse ishte ai të cilin po e kërkonin, dhe ai më tha: ‘po, ai jam’. Aty u frikësova sepse isha vetëm në shtëpi, sepse burri ishte në punë.

Doli jashtë, ndërroi çorapet poshtë pallatit dhe u ngjit sërish në katin e dytë. Më hyri brenda në dhomë dhe më tha të mos frikësohem. I thashë që është më mirë të dorëzohet, pasi po e kërkojnë nga të gjitha anët. Më kërkoi ujë të ftohtë për të pirë dhe një telefon. Nuk ishte agresiv, nuk kishte armë, vetëm një biçak të vogël që e nxorri nga xhepi dhe e la mbi tavolinë.

Më tha që t’i telefonoja 129-s dhe t’i tregoja se ku gjendet. Mora policinë dhe fillova t’i tregoja, por Sokoli më mori telefonin nga dora dhe vazhdoi të fliste vetë me sallen operative. Fillimisht u prezantua se kush ishte dhe më pas iu tregoi për vendndodhjen, duke shtuar se dëshironte të dorëzohej.

Nuk vonojë shumë dhe gjithë zona u rrethua, Sokoli kishte shumë frikë se mos e rrihnin ose e vrisnin. Me kërkoi ta nxirrja jashtë, dhe ashtu bëra, ia dorëzova policisë. Përkundër këtij kontributi asnjë punonjës policie nuk më ka pyetur për ngjarjen, vetëm mediat”, është shprehur Age Koçeku.

Ky veprim i Sokol Mjacajt duket se ka ardhë pas presionit dhe aksioneve tepër intensive të qindra forcave të policisë me autoblinda dhe helikoperë nga ajri.

Top Channel