Berat, dy të arrestuar dhe 308 rrënjë kanabis të asgjësuara në operacionin policor

07/07/2015 00:00

Një tjetër operacion policor antikanabis, i ndërmarrë këtë herë nga efektivë të Policisë së Beratit, gjatë kësaj të marte, ka mundësuar ndalimin e dy shtetasve dhe asgjësimin e 308 rrënjëve bimë narkotike e dyshuar si kanabis sativa.

Operacioni i koduar “Start 2015” i kësaj të marte ka qenë në vazhdën e veprimeve të njëpasnjëshme të marra nga Policia e Beratit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe kontrollin e plotë të territorit. Pasi është siguruar informacion në rrugë operative, forcat blu kanë ushtruar kontroll në fshatin Levan të komunës Sinjë.

Në vendin e quajtur “Gryka e moçales”, grupi hetimor ka gjetur dhe asgjësuar sasinë e bimëve narkotike të mbjella, që varionin nga 30 deri në 90 cm lartësi, si dhe kanë ndaluar shtetasit Mehmet dhe Avdyl Osmenaj, 36 dhe 42 vjeç respektivisht, të dy banues në Levan të Beratit.

Këta dy shtetas dyshohen se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë autorë të kultivimit të bimës narkotike, ndaj dhe materialet hetimore do t’i kalojnë tashmë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për procedurat e mëtejshme në lidhje me veprën penale të “kultivimit të bimëve narkotike”.

Top Channel