Kosovë, dyndje pacientësh në QKUK nga temperaturat e larta

08/07/2015 00:00

Ngritja e menjëhershme e temperaturave, nga 19 në 36 gradë Celcius, ka sjellë rritjen e numrit të pacientëve në Qendrën Klinike Universitare në Kosovë.

Në Emergjencën e QKUK-së, gjatë tri ditëve të fundit është shënuar një rritje prej 3-5% e personave, që kërkojnë ndihmë mjekësore nga temperaturat e larta. Drejtori i kësaj qendre, Basri Lenjani, tha se personat më të rrezikuar janë ata me sëmundje kronike, persona në moshë të thyer dhe fëmijët.

“Janë persona, të cilët vuajnë nga sëmundjet e trurit, që kanë pasur goditje në tru, gjendje epileptike, sulme konvulzive; të sëmurët, të cilët vuajnë nga sëmundjet e zemrës, sidomos ataku kardiak, nga tensioni i gjakut, i ulët apo dhe i lartë; të sëmurët, të cilët vuajnë nga sëmundjet e mushkërive; të sëmurët, që vuajnë nga sëmundjet metabolike, si diabeti; por edhe të sëmurët, të cilët marrin mjekime kundër depresionit janë kandidatë seriozë, që të vuajnë nga vapa e madhe”, tha Basri Lenjani, drejtor i Emergjencës, QKUK.

Lenjani shtoi se, kërkesat më të mëdha janë në orët e mbrëmjes, duke marrë parasysh se simptomat e para paraqiten pas rreth 6 orësh nën ekspozimin e rrezeve të diellit. Ai bëri të ditur se, Emergjenca e QKUK-së ka kapacitete të mjaftueshme profesionale për të përballuar pa ndërprerje një fluks të tillë pacientësh. Aktualisht, kjo qendër pranon deri në 150 raste në 24 orë.

Drejtori i Emergjencës, Basri Lenjani, këshilloi qytetarët që t’i shmangen ekspozimit në diell në periudhën prej orës 11 deri në 17 të pasdites dhe të shkojnë rregullisht te mjeku familjar.

“Në rast se viktimat apo personat janë ekspozuar ndaj rrezeve të diellit, ata kanë simptoma paralajmëruese si dhimbje koke, lodhje, të vjella, çrregullime të vetëdijes, çrregullime të ritmit të zemrës dhe frymëmarrjes, të paraqiten te mjeku familjar dhe në qoftë se mjeku familjar konstaton se duhet të paraqiten në shërbimin emergjent, domosdo duhet të vijnë këtu, ku do të marrin të gjitha masat parandaluese”, tha Basri Lenjani, drejtor i Emergjencës, QKUK.

Një rritje e vogël e numrit të pacientëve është shënuar edhe në Emergjencën Pediatrike në QKUK, ku rastet më të shpeshta paraqiten në orët e mbrëmjes.

Top Channel