Merkel pritet në selinë e Kryeministrisë nga Edi Rama

08/07/2015 00:00

Kancelarja Angela Merkel ka treguar përpikmërinë gjermane dhe në orën 13:50 minuta autokolona që e shoqëronte u nis nga Aeroporti i Rinasit drejt selisë së Kryeministrisë, aty ku u prit nga kryeministri Edi Rama.

Pas luajtjes së dy himneve, në pjesën e përparme të godinës së Kryeministrisë, Merkel dhe Rama ecën në drejtim të Hollit Kryeministror, për të nisur takimin kokë më kokë, që do të zgjasë rreth 15 minuta. Më pas, për 45 minuta do të mbahet takimi mes dy delagacioneve, që do t’ia lërë radhën konferencës së përbashkët për shtyp Rama-Merkel.

Në 16:15 parashikohet takimi i Merkel me Presidentin Bujar Nishani për t’iu drejtuar më pas Konferencës Ekonomike në “Tirana Business Park”, ku Merkel do të ketë një fjalë përshëndetëse, që shënon edhe fundin e vizitës.

Vizita e kancelares Merkel do të zhvillohet nën masa të forta sigurie. Policia e Shtetit ka njoftuar planin e masave, ku përfshihen  ndalimi i qarkullimit të mjeteve nga ora 10:30-14:30 në aksin rrugor nga Rinasi në drejtim të Kasharit. Nga ora 13:30-14:30 segmenti rrugor nga Superstrada Vorë–Tiranë, duke filluar nga mbikalimi i Kasharit- mbikalimi i Kamzës dhe rrugët dytësore do të jenë të bllokuara.

Në vazhdim, tek segmenti rrugor nga mbikalimi Kamëz–Sheshi “Shqiponja”-Rruga e “Durrësit”, segmenti rrugor Sheshi “Skëndërbej”–Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”- Sheshi “Nënë Tereza”, rrugët lidhëse me to, nuk do të lejohet parkimi i mjeteve dhe do të bllokohet në momente të caktuara.

Top Channel