Merkel në Tiranë: Europa, kusht reforma në drejtësi. Nuk ka azil për shqiptarët

08/07/2015 00:00

Shqipërisë i është dashur të presë plot 28 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Federale Gjermane për të arritur deri tek vizita zyrtare e një kancelari gjerman.

Eskorta e Angela Merkel, nga Rinasi e deri në Kryeministri zbatoi në mënyrë strikte rregullat e qarkullimit rrugor. Mbërritja e Merkel në selinë e qeverisë u prit edhe nga dhjetëra qytetarë.

Pas një takimi 15 minutësh kokë më kokë me kryeministrin Rama, kancelarja Merkel e shoqëruar nga këshilltarët për çështjet ekonomike, ai për politikat e jashtme dhe sigurinë, si dhe ai për politikën europiane, për 40 minuta u ulën përballë delegacionit shqiptar për bisedime dypalëshe.

Më pas Merkel dhe Rama dolën në një konferencë për shtyp. Kryeministri dha pak detaje për atë se çfarë ishte biseduar, por theksin e vuri tek rëndësia e kësaj vizite.

“Kancelare, në emër të gjithë shqiptarëve dua t’ju them një faleminderit të përzemërt për mbështetjet që ju dhe Gjermania u jepni përpjekjeve të Shqipërisë, për të qenë pjesë e një Europe të fortë financiarisht, të lidhur fizikisht dhe të bashkuar politikisht, si komuniteti më i rëndësishëm i vlerave që kontinenti ynë ka parë. Dhe në këto ditë të trazuara sidomos ka shumë rëndësi ta mbajmë fortë parasysh rëndësinë jetike të BE për paqen, sigurinë dhe mirëqënien e popullit të Europës. BE është krijuar mbi premisën se integrimi ekonomik dhe politik është alternativa më e sigurtë ndaj luftës dhe konfliktit dhe rajoni ynë sot është një dëshmitar i gjallë i fuqisë tërheqëse të BE, si rruga e së ardhmes sonë të përbashkët, në të cilën po ecim përmes reformash transformuese në shoqëritë tona”, deklaroi Rama.

“Për mua është një kënaqësi e madhe që munda të mbajë premtimin që thashë në momentin kur deklarova se do të vija në Tiranë. E bëj më kënaqësi këtë gjë. Edhe gjatë udhëtimit për këtu kam mundur të konstatoj që shumë njerëz kanë treguar gëzimin e tyre për vizitën time dhe kjo tregon se kemi një bashkëpunim mjaft të mirë dhe të gjerë. Sigurisht që ne kemi diskutuar tema nga më të ndryshmet. Për marrëdhëniet bilaterale unë mendoj se kemi mundësi edhe më të mëdha për të arritur rezultate më të mira në bashkëpunimin ekonomik. Është me rëndësi për Shqipërinë krijimi i kushteve ligjore që investitorët gjermanë kanë nevojë t’i besojnë këtyre kushteve përsa i përket situatës ligjore. Ky është një aspekt që shënon një kontribut të rëndësishëm në rrugën tuaj, që nga marrja e statusit të vendit kandidat deri në momentin e të bërit anëtarë të BE. Ne e mbështesim Shqipërinë në këtë drejtim. Kemi mundësi të shumta bashkëpunimi në turizëm, sektorin e energjisë dhe telekomunikacionit. Do të bisedoj për arsimin profesional me kryeministrin e landit të Bavarisë se çfarë mund të bëhët më shumë për këtë. Folëm edhe për shkëmbimin e vizatave në rajon, siç ishte ajo e kryeministrit Vuçiç, pasi për vite të tëra, deri diku ka patur marrëdhënie të tensionuara, por që për fat të mirë, në mënyrë të suksesshme janë kapërcyer”, tha nga ana e saj Merkel.

Kancelarja Merkel u ndal edhe tek aspirata e vendeve të rajonit për t’iu bashkuar familjes europiane, por mesazhi i saj ishte i qartë: “Ne ju ndihmojmë, ju plotësoni standardet”.

“Gjithashtu folëm edhe për Maqedoninë dhe Kosovën dhe kështu hap pas hapi do të mundohemi t’i çojmë gjërat përpara dhe kjo do të jetë e suksesshme vetëm nëse vendeve të Ballkanit Perëndimor do t’u sigurohet perspektiva në Bashkimin Europian jo vetëm në letra, por nëse bëhet realitet. Në momentin që diskutohet për procesin e anëtarësimit dëgjoj shpesh herë të thuhet se BE kërkon të ngadalësojë procein. Por, më lejoni t’ju them, se është në interesin tonë që vëndet e Ballkanit Perëndimor të kenë një perspektivë të sigurtë dhe ta realizojnë ata vetë, pasi kjo ka të bëjë me kredibilitetin e tyre dhe vetë BE-së. E rëndësishme është përmbushja e kushteve të caktuara dhe e di që për këtë jeni duke punuar dhe për këtë i uroj sukses vendit dhe popullit tuaj”, theksoi Merkel.

Problematika e azilantëve shqiptarë në Gjermani ishte gjithashtu pjesë e diskutimeve. “Shqipëria nuk është një vend prej të cilit azilkërkuesit do të njihen si të tillë. Por sigurisht që Gjermania ka nevojë për fuqi punëtore të kualifikuar dhe mendoj se Shqipëria mund ta ofrojë këtë fuqi punëtore”, tha kancelarja.

“Ndamë të njëjtin shqetësim serioz. E dimë fare mirë që shqiptarët nuk kanë të drejtë azili në BE, por kjo është një çështje duhet parë jo vetëm si problem sigurie, gjë për të cilën bashkëpunimi ynë me Gjermaninë dhe vendet e BE-së mbetet në nivelin më të lartë, por edhe si një problem social, që lehtësohet ndjeshëm përmes mbështetjes ekonomike dhe politike të BE ndaj vendit tonë. Shpresa për punësim real dhe mirëqënie është një shtysë e fortë në këtë drejtim dhe konfirmimi nga BE i progresit të vendit tonë pas marrjes së statusit të vendit kandidat, që do të pasojë me çeljen e fazës së tjetër të procesit të integrimit, do të fuqizonte solidaritetin në Shqipëri dhe mes Shqipërisë dhe BE-së”, tha kryeministri Rama.

Top-Channel e pyeti kancelaren Merkel se kur mund t’i jepet Shqipërisë një datë e mundëshme për çeljen e negociatave të antarësimit.

“Në fakt, nuk jemi duke përcaktuar afate të qarta në këtë proces. Ajo çka e përcakton ritmin është përmbushja e standardeve, apo qëllimeve dhe objektivave. Pra, që prej momentit të dhënies së statusit të vendit kandidat duhet të përpunohet një program i caktuar dhe arrtija e standardeve, pasi ka prioritete të caktuara që nuk i vendos unë, por është Komisioni Europian që vendos nëse Shqipëria ka përmbushur kushtet e caktuara. Më lejoni t’ju përmend prioritetin e reformës në drejtësi. Ka progres në këtë drejtim, por nuk është realizuar e plotë. Komisioni Europian i kushton rëndësi realizimit të plotë dhe faktit që ajo çfarë është në letër të zbatohet në mënyrë të plotë. Ky është një proces që ne nuk e ngadalësojmë në menyrë artificiale, ne e duam anëtarësimin e vendit tuaj dhe të gjithë Ballkanit perëndimor, por është një proces që vlerësohet herë pas here në momente të caktuara. Mund t’ju them se në përgjithësi Shqipëria ka bërë progres mjaft të mirë”, theksoi Merkel.

“Ne kemi marrë një zotim dhe do ta mbajmë, që në fund të vjeshtës të këtij viti do t’i plotësojmë të gjitha, përfshirë paketën e reformës në drejtësi, që do t’i kalojë Parlamentit për miratim. Në atë moment na lind e drejta të kërkojmë një datë për të filluar negociatat për anëtarësimin në BE. Kur ne të kemi përmbushur të gjitha detyrat, unë jam i bindur se kancelarja do të jetë e para që do të na mbështesë për të hapur negociatat”, tha nga ana tjetër Rama.

Top Channel