20 vite nga masakra e Srebrenicës; Rusia, veto ndaj projektrezolutës së OKB-së

08/07/2015 00:00

Në një lëvizje, që shkaktoi mjaft indinjatë, Rusia i vuri veton projektrezolutës së OKB-së, që e dënonte si akt gjenocidi masakrën e vitit 1995 në Srebrenicë, gjatë luftës së Bosnjes.

Votimi në Këshillin e Sigurimit mori 10 vota pro dhe 1 kundër. 4 anëtarë; Angola, Kina, Nigeria dhe Venezuela; abstenuan.

Ambasadori britanik, Peter Wilson deklaroi se, veprimet e Moskës njollosin kujtimin e të gjithë atyre, që humbën jetën në masakrën më të madhe të këtij lloji, pas Luftës së Dytë Botërore.

“Zëri i Amerikës” e citon diplomatin britanik të pohoje se, Rusia duhet të justifikojë sjelljen e saj para familjeve të më shumë se 8 mijë të vrarëve. Ambasadorja e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, Samantha Power, e cila në kohën e luftës së Bosnjes ishte një gazetare 24-vjeçare, i tha Këshillit se “në të gjithë brutalitetin e atij konflikti të tmerrshëm, kjo masakër ishte një tmerr që bënte përjashtim, ishte genocid, një fakt tashmë i provuar në mënyrë të përsëritur nga gjykatat ndërkombëtare”.

“Kjo vote kishte rëndësi jashtëzakonisht të madhe, për familjet e viktimave të gjenocidit të Srebrenicës. Vetoja e Rusisë ua copëton zemrën atyre familjeve dhe kjo është një njollë tjetër në historinë e Këshillit”, tha Samantha Power, ambasadore e SHBA-ve në OKB.

“Amnesty International” e quajti veton e Rusisë, një fyerje për familjet e viktimave të masakrës, e tha se ajo do të pengojë përpjekjet për pajtim mes komuniteteve të Bosnje-Hercegovinës.

Dy gjykata ndërkombëtare e kanë cilësuar gjenocid vrasjen e 8 mijë burrave dhe djemve myslimanë, në atë që duhet të ishte një parajsë e sigurt e mbrojtur nga paqeruajtësit e OKB-së.

Rusia, Serbia dhe serbët e Bosnjes e cilësojnë përçarëse projektrezolutën e paraqitur në Këshillin e Sigurimit.

Në të shkruhej se “pranimi i masakrës së Srebrenicës, si gjenocid, është një parakusht për pajtimin e të dy shteteve”. Por, ambasadori i Rusisë në këtë institucion ndërkombëtar e quajti atë “jo konstruktive dhe të motivuar politikisht”.

Top Channel